
Policia greke ka zbardhur vrasjen e profesorit 43-vjeçar Przemyslaw Jeziorski, i cili u ekzekutua me gjakftohtësi pasditen e 4 korrikut në Agia Paraskevi të Athinës. Pesë persona janë aktualisht në dispozicion të autoriteteve: dy grekë, një bullgar dhe dy shqiptarë; po ashtu në pranga është edhe ish-bashkëshortja e viktimës, e cila dyshohet se ka luajtur një rol kyç në krim, duke u akuzuar si porositëse e ekzekutimit. Shqiptarët e arrestuar janë Andrea Sherri, 24 vjeç, dhe F. Driza, 16 vjeç. Të tjerët e përfshirë janë partneri 35-vjeçar i gruas greke, i konsideruar si autori kryesor i krimit, dhe një shtetas bullgar, i cili akuzohet për bashkëpunim në ngjarje.



Dyshohet se dy shqiptarët dhe bullgari ndihmuan autorin duke siguruar makinën e arratisjes një Porsche Cayenne dhe mbështetje të tjera logjistike. Ata i thanë policisë se nuk dinin për qëllimin për të vrarë Jeziorskin, ndërsa shqiptarët kërkuan 50,000 euro nga autori për të heshtur rreth ngjarjes.
Sipas informacioneve të mbledhura nga hetimet, 2 shqiptarët dhe partneri i të akuzuarës, përdorën më pas “Porsche Cayenne” për të ndjekur 43-vjeçarin në zonën e Haidarit. Ai kishte shkuar atje pa e ditur se çfarë do t’i ndodhte. Ish-gruaja i kishte lënë takim në orën 16.00 për të marrë fëmijët, por në fakt i kishte thurur planin për ta ekzekutuar.
Policia arriti gjithashtu të zbulojë lëvizjet e vrasësit të profesorit polak dhe përpjekjen e tij për të “turbulluar ujërat” me shpresën se do t’i shmangej arrestimit. Partneri aktual i ish-gruas së profesorit polak i kishte dhënë çelësat e makinës dhe telefonin e tij celular një personi tjetër për t’i përdorur ato ditën e vrasjes, duke shpresuar të jepte përshtypjen se nuk ndodhur në zonën e vrasjes.
Por në historikun e Policisë doli se profesori polak kishte ngritur më parë një padi kundër partnerit aktual të ish-gruas së tij për kërcënime dhe dëmtime fizike, duke raportuar incidente specifike dhune. Pra, përballja mes tyre kishte një të kaluar, ndërsa është vërtetuar se viktima kishte frikë për sigurinë e tij fizike.
Për ngjarjen, autori i dyshuar i vrasjes, gjatë rrëfimit të tij në polici, u shfaq pothuajse i penduar, duke thënë: Nuk mund ta duroja më ta shihja të dashurën time të trishtuar dhe të stresuar, dhe thashë se do ta bëja. Kam bërë gjithçka. Ai duket se është përpjekur të marrë të gjithë përgjegjësinë mbi vete, megjithatë, provat e mbetura që kanë dalë përshkruajnë një veprim të organizuar me dijeninë dhe bashkëpunimin e ish-gruas.
Siç zbulon rrëfimi i tij, autori i krimit rekrutoi tre bashkëpunëtorë – dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas bullgar – duke u thënë atyre: Do shkojmë diku për të rrahur dikë që po më shqetëson të dashurën. Në fakt, për të shuar shqetësimet e tyre, ai u siguroi se “nëse keni nevojë për avokatë, Nadia do të paguajë. Mos u shqetësoni. Nëse diçka shkon keq, jemi mirë”.
Sa i përket ish-gruas së profesorit, ajo dyshohet se është përpjekur të fshehë të gjitha gjurmët: menjëherë pas vrasjes, ajo e fiku telefonin dhe fshiu të gjitha të dhënat. Megjithatë, policia gjeti një foto të viktimës në telefonin e saj, të bërë nga pas, ditën e vrasjes, që tregonte saktësisht se çfarë kishte veshur – një fakt që, sipas autoriteteve, dokumenton rolin e saj në organizimin e krimit. Ende nuk është përcaktuar se kujt i është dërguar imazhi.
Në të njëjtën kohë, megjithëse telefoni i vrasësit nuk është gjetur, hetimet zbuluan se komunikimet e tij me ish-gruan e tij u bënë nëpërmjet aplikacionit të koduar Signal, duke përdorur një numër që i përkiste djalit të saj. Të gjitha këto prova forcojnë bindjen e autoriteteve se kjo ishte një vrasje e paramenduar. Katër burrat tashmë kanë rrëfyer, ndërsa gruaja këmbëngul të mohojë çdo përfshirje, por nuk ka shumë vlerë. Çështja tani po i paraqitet gjykatës, me aktakuzën që përfshin vrasje me dashje, nxitje dhe bashkëpunim në vrasje.