
Dy shqiptarë janë arrestuar në Breshia të Italisë, pasi u kapën në flagrancë teksa vidhnin karburant nga automjete të parkuara.
Sipas mediave, të dy janë në gjendje të parregullt qëndrimi në Itali dhe ishin të njohur më parë për autoritetet italiane për precedentë penalë.
Ngjarja ndodhi pas një sinjalizimi nga një qytetar, i cili vuri re një automjet të dyshimtë në zonën via Buozzi dhe njoftoi menjëherë policinë në numrin 112.
Qytetari i ndoqi nga larg autorët, duke informuar policinë se ata ishin zhvendosur në via Rosselli, pranë një kompanie private, për të kryer një tjetër vjedhje.
Brenda pak minutash, patrullat e Policisë së Shtetit identifikuan dhe ndaluan makinën e përdorur nga dyshja.
Njëri prej tyre u gjet i fshehur mes sediljeve. Gjatë kontrollit, në mjet u zbuluan 5 bidona me naftë të vjedhur, mjete vjedhjeje, përfshirë tre kaçavida, dy thika me mbyllje automatike, të fshehura nën sedilje.
Ndërkohë, bashkëpunëtori i dytë u përpoq të ikë në këmbë duke u futur në një ndërtesë, por u arrestua pas një ndjekjeje të shkurtër.
Të arrestuarit janë identifikuar si shtetasit me iniciale P.E., 42 vjeç dhe C.H., 39 vjeç.
Të dy u dërguan në Komisariat, ku iu morën shenjat daktiloskopike dhe u arrestuan për vjedhje të mbetur në tentativë në rrethana rënduese dhe mbajtje të paligjshme të armëve të ftohta dhe mjeteve të thyerjes.
Duke marrë parasysh të kaluarën kriminale dhe qëndrimin e paligjshëm në territorin italian, Prefekti i Breshias, Paolo Sartori, ka firmosur urdhrin e dëbimit për të dy personat, i cili do të zbatohet menjëherë pas lirimit të tyre nga burgu.