
Zbulohen detaje të reja nga dosja hetimore për Jonaid Myzyrin, drejtorin e pezulluar nga detyra të Prokurimeve Publike, i cili është nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera. Nga e gjithë dosja është zbuluar një tjetër skandal, që përfshin edhe zyrtaren e KPP-së, Jonida Skeja. Edhe kjo e fundit është nën akuzë bashkë me Myzyrin.
Burime pranë Prokurorisë së Posaçme konfirmuan për “ReportTV” se ndaj saj paralelisht po kryhen veprime mbi një ngjarje të vitit 2020. Në kuadër të procedimit penal nr 175/1, janë zbardhur biseda që hedhin dritë mbi grabitjen e 200 mijë eurove në banesën e Skejës, por edhe pengmarrjen e vëllait të saj. Në përgjime rezulton se zyrtarja e KPP-së bisedon me nënën e saj për vjedhjen e parave në banesën e tyre dhe shfaqet e shqetësuar edhe për pengmarrjen e vëllait nga grabitësit e maskuar.
“Po firmosim si delet për atë xhuxhin,”- mësohet të jetë shprehur në një nga bisedat zyrtarja e KPP-së. Për të zbuluar më shumë rreth kësaj grabitjeje, prokurori i SPAK që po merret me këtë çështje, Elvin Gokaj i është drejtuar Policisë së Elbasanit dhe Librazhdit, për t’i vënë në dispozicion informacione, nëse janë bërë denoncime për këtë rast, dhe nëse po si është vepruar. Burimet konfirmuan se prej Elbasanit kanë mbërritur materiale voluminoze lidhur me ngjarjen, duke konfirmuar kështu dyshimet e grabitjes, por nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia që shuma e grabitur të jetë disa herë më e madhe.
Hetimet për grabitjen e 200 mijë eurove janë veçuar, për dosjen e parë janë marrë të pandehur 11 persona që dyshohen se shkelën barazinë në tendera, midis tyre është edhe Jonaid Myzyri. /korrieri