
Policia e Shtetit ka arrestuar dy prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i pajetë pranë liqenit të Shkopetit më 9 korrik, pas një ngjarjeje të rëndë që tronditi opinionin publik. Sipas informacioneve të siguruara nga BW në pranga kanë rënë Petrit Çakrri alias Hoxhaj, i ndaluar në Lekbibaj të Tropojës, dhe Fatjon Bushgjoka, i kapur në Tiranë.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur edhe dy të dyshuar të tjerë, Kristi (alias Kristë) Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj. Të katër personat dyshohet se kanë marrë pjesë në rrëmbimin, dhunimin dhe më pas vrasjen barbare të 23-vjeçarit, i cili më pas u hodh në ujërat e liqenit bashkë me makinën e tij.
Burime nga hetimet bëjnë me dije se motivi i krimit lidhet me pazare droge në Gjermani. Renis Dobra mësohet të ketë qenë më herët i përfshirë në tregtinë e kokainës, në shërbim të një grupi kriminal që drejtohej nga vëllezërit Bushgjokaj nga Tropoja. Dyshohet se i riu nuk kishte dorëzuar të gjitha paratë e fituara nga shitja e drogës, duke shkaktuar dyshime për mashtrim dhe vjedhje brenda grupit.
Pikërisht për këtë arsye, autorët kanë vendosur ta eliminojnë Dobran. Ata e kanë marrë me pretekstin e një shoqërimi policor, e kanë dhunuar brutalisht, më pas e kanë mbytur me litar dhe kanë tentuar të zhdukin trupin duke e hedhur së bashku me automjetin në liqenin e Shkopetit. Megjithatë, trupi i tij dyshohet se ka dalë nga makina dhe u gjet nga familjarët e ndihmuar nga policia.
Nga hetimet rezulton se Petrit Çakrri kishte marrë me qira dy automjete – një “Range Rover” të zi dhe një “Honda Santa Fe” të bardhë – që u përdorën në këtë krim. Të dyja automjetet janë sekuestruar dhe po ekzaminohen nga policia shkencore. Silueta e tyre është kapur nga kamerat e sigurisë nga zona e Burrelit deri në Milot.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë kërkimet për kapjen e dy të dyshuarve të tjerë. Pjesë e hetimeve është bërë edhe lëvizja e autorëve pas krimit. Çakrri dyshohet se ka dalë nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Morinës drejt Kosovës dhe më pas është rikthyer fshehtas në Tropojë, ku janë përqendruar edhe operacionet e fundit të policisë për arrestimin e tij.
Një element i rëndësishëm i hetimeve është edhe mbyllja e papritur e telefonit të viktimës, e cila ka ndodhur vetëm 10 minuta pas një telefonate nga babai i tij, Rufat Dobra. Ky i fundit ishte njoftuar nga një i afërm se i biri ishte marrë nga disa persona që ishin prezantuar si policë. Pas dështimit për ta kontaktuar dhe pasi verifikoi se djali nuk ishte në komisariat, ai bëri denoncim për zhdukje. Trupi i të riut u gjet të nesërmen, rreth 10 metra larg vijës së liqenit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të këtij krimi vijojnë. Policia thotë se është e vendosur të çojë para drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në këtë vrasje mafioze, që ngre sërish shqetësimin për aktivitetin e grupeve të trafikut të drogës që veprojnë mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së.