
Shifrat e Ministrisë Spanjolle të Mjedisit mbi ndikimin e krizës janë shqetësuese. Temperaturat e larta kanë marrë tashmë jetën e 1,180 personave në 60 ditët e fundit. Numri është shumë herë më i lartë se numri i vdekjeve të regjistruara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shumica e viktimave ishin mbi 65 vjeç, ndërsa më shumë se gjysma ishin gra. Ndërkohë, rajonet më të prekura ishin Galicia, La Rioja, Asturias dhe Cantabria. Të gjitha këto rajone ndodhen në pjesën veriore të vendit, e cila ka përjetuar temperatura më të larta vitet e fundit.
Në javët e fundit, nxehtësia ekstreme ka goditur shumë vende në Evropën Perëndimore. Temperaturat në Spanjë shpesh i kanë kaluar 40 gradë Celsius. Ndaj edhe 1,180 personat vdiqën nga shkaqe që lidhen me nxehtësinë nga 16 maji deri më 13 korrik. Për krahasim, gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2024, humbën jetën vetëm 70 persona.
Më 9 korrik, një analizë shkencore raportoi se rreth 2,300 njerëz vdiqën nga nxehtësia në 12 qytete evropiane gjatë valës 10-ditore të të nxehtit që zgjati deri më 2 korrik. Megjithatë, nuk është e qartë nëse studimi i shkencëtarëve në Imperial College London dhe London School of Hygiene and Tropical Medicine përdor të njëjtën metodologji si instituti spanjoll.