
Bankers Petroleum Albania ka zgjedhur Andrija Kojakovi? si kryetar të ri të Bordit Mbikëqyrës dhe bashkëkryetar të kompanisë, në një kohë ku besimi ndaj kësaj kompanie është në nivelin më të ulët që nga themelimi. Lajmi u bë publik si një përpjekje për të rikthyer normalitetin, por brenda dhe jashtë kompanisë skeptikët janë të shumtë.
Zyrat qendrore të Bankers-it në Fier kanë funksionuar prej javësh me ritëm të ngadalësuar. Burime të brendshme konfirmojnë se shumë vendime administrative dhe operacionale kanë qenë në pauzë të plotë, për shkak të vakumit drejtues dhe pasigurive ligjore që rëndojnë mbi aktivitetin e saj.
Z. Kojakovi? vjen me një CV të mirë në sektorin e energjisë dhe diplomacisë, por edhe me një profil që nuk përkon domosdoshmërisht me natyrën dhe ndërlikimet që përballon aktualisht Bankers Petroleum në Shqipëri. Pyetja e madhe që ngrihet është: a mundet ai të zgjidhë krizën apo është një emër që do të përdoret si fasadë për të fituar kohë?
Hetimet që janë duke u zhvilluar për borxhet e papaguara tatimore të kompanisë kanë sjellë frikë të përgjithshme në zyrat e kompanisë. Punonjës të nivelit të mesëm dhe të lartë e ndiejnë se hetimet mund të prekin gjithkënd, duke parë shkallën e përfshirjes dhe mënyrën sesi janë trajtuar pagesat tatimore ndër vite.
Në këtë klimë pasigurie, punonjësit po përballen me një presion të pazakontë, teksa menaxhmenti kërkon vazhdimësi operacionale, ndërkohë që askush nuk di me saktësi se kush do të jetë viktima e radhës e një sistemi që po shembet nga brenda. Transparenca mungon dhe komunikimi është i kufizuar në urdhra të ftohtë për “të vazhduar punën”.
Sindikata e punonjësve të Bankers-it ka reaguar më ashpër se kurrë më parë, duke kërkuar mbrojtje të plotë për punëtorët që nuk kanë lidhje me shkeljet fiskale dhe administrative të viteve të fundit. Ata këmbëngulin që përgjegjësit e vërtetë të dalin para drejtësisë dhe të ndëshkohen në mënyrë shembullore.
Zyrtarisht, Bankers Petroleum thotë se po bashkëpunon me autoritetet dhe se është e përkushtuar ndaj dialogut dhe transparencës. Por kjo retorikë është dëgjuar edhe në të kaluarën, ndërsa shifrat e borxhit tatimor dhe çështjet ligjore kanë vijuar të zmadhohen.
Emërimi i Kojakovi? shihet nga analistët si një përpjekje për të importuar autoritet nga jashtë dhe për të shmangur përgjegjësitë reale. Por kriza e Bankers-it nuk është e lidhur me mungesë ekspertize; ajo është rezultat i politikave të qëllimshme të mbylljes së syve ndaj detyrimeve ligjore.
Një tjetër pikë shqetësuese është heshtja e institucioneve shtetërore që duhet të kishin reaguar me më shumë forcë ndaj një rasti kaq të rëndë të evazionit dhe keqmenaxhimit. Heshtja nxit mosbesim dhe e bën edhe më të dyshimtë qëllimin e këtij emërimi të ri.
Ndërkohë, në terren, aktiviteti i kompanisë po mbahet në jetë falë përpjekjeve të pakta teknike. Por pa besim, pa qartësi ligjore dhe me një klimë frike që mbizotëron brenda zyrave, Bankers Petroleum rrezikon të mos i mbijetojë dot as valës së parë të përballjes së vërtetë me shtetin shqiptar.