
Bashkimi Europian ka paralajmëruar se vonesat në fluturime këtë verë mund të arrijnë nivelet më të këqija ndonjëherë, për shkak të mungesës së stafit në kontrollin e trafikut ajror, grevave, zjarreve dhe kërkesës së lartë për udhëtime.
Zyrtarët e BE-së thanë të mërkurën se sistemi i kontrollit të trafikut ajror po funksionon në limitet e tij për shkak të mungesës së stafit dhe rritjes së ndjeshme të kërkesës për fluturime pas pandemisë së Covid-19.
“Vitin e kaluar patëm verën më të keqe ndonjëherë sa i përket vonesave dhe anulimeve. Ky vit do të jetë shumë i ngjashëm”, tha një zyrtar i lartë i BE-së.
Në ditët më të ngarkuara, në hapësirën ajrore evropiane qarkullojnë rreth 37 mijë fluturime, që është afërsisht kufiri i kapacitetit të kontrollorëve të trafikut ajror, shtoi i njëjti zyrtar sipas Financial Times.
Eurocontrol, organi përgjegjës për kontrollin e trafikut ajror në Europë, tha në prill se trafiku ajror këtë vit ka qenë 5% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Po ashtu, vonesat në menaxhimin e trafikut ajror ishin gjithashtu 5% më shumë.
“Mungesa e kapacitetit të kontrollit të trafikut ajror për të përballuar kërkesën pritet të shkaktojë vonesa të larta” në nëntë vende, përfshirë Francën, Gjermaninë, Greqinë dhe Spanjën, që janë disa prej destinacioneve më të njohura turistike në rajon.
Situatën e rëndon edhe greva e punonjësve, sidomos në Francë. Dy ditë grevë nga kontrollorët e trafikut ajror në aeroportet franceze javën e kaluar, për shkak të pajisjeve të vjetruara dhe mungesës së stafit, shkaktuan ndërprerje në rreth 4 mijë fluturime në të gjithë BE-në, tha Eurocontrol. Vetëm greva e së enjtes i kushtoi rreth 100 euro për minutë, sipas organizatës.
Air France-KLM, që operon shumë fluturime nga aeroporti Charles de Gaulle në Paris, rrezikoi humbje të mëdha financiare për shkak të ndërprerjeve, tha ministri francez i transportit Philippe Tabarot.
Apostolos Tzitzikostas, komisioneri i BE-së për transportin, tha se blloku po operon me një hapësirë ajrore të reduktuar për shkak të luftës në Ukrainë, dhe kjo së bashku me mungesën e kontrollorëve “kërcënon të ngarkojë rrjetin ajror dhe të zhgënjejë udhëtarët”.
Me aeroportet që janë “më të mbingarkuara se kurrë më parë”, “Europa nuk mund të përballojë kaos në qiell”, shtoi ai.
Steve Heapy, drejtori ekzekutiv i Jet2, u tha investitorëve të mërkurën se grevat kanë shkaktuar “shumë klientë të shqetësuar”, edhe pse kompania ajrore ka vazhduar fluturimet.
Zjarret janë gjithashtu një problem kryesor. Europa është një nga rajonet më të ekspozuara ndaj ndryshimeve klimatike, me zjarre që detyruan mbylljen e përkohshme të aeroportit të Marsejës të martën.
Në Greqi, atraksione turistike si Akropoli janë mbyllur për shkak të të nxehtit ekstrem.
Zyrtari i lartë tha se efektet e ndryshimeve klimatike janë “një shqetësim i madh. Në të ardhmen presim më shumë ngjarje ekstreme moti”, shumë prej të cilave janë “mjaft të rrezikshme për aviacionin”.
Një tjetër shkak madhor i vonesave është mungesa e kontrollorëve të trafikut ajror. Tzitzikostas u dërgoi një letër ministrave të transportit të BE-së përpara një takimi në qershor, duke i kërkuar që të sigurojnë që kontrollorët “të ofrojnë realisht kapacitetin që kanë premtuar zyrtarisht dhe të vendosen në vendet dhe oraret ku nevoja është më e madhe”.
Zyrtarët thanë se ndërsa disa pilotë mund të fitojnë licencat e fluturimit brenda një viti, në disa pjesë të Evropës, stafi i kontrollit të trafikut ajror duhet t’i nënshtrohet pesë viteve trajnimi dhe se komisioni po përpiqej të bashkëpunonte me agjencitë e sigurisë së aviacionit për të rishikuar këto rregulla.
Rafael Schvartzman, nënkryetar për Europën në Shoqatën Ndërkombëtare të Transportit Ajror, tha se vonesat në rritje të vazhdueshme ishin “të papranueshme“. “Hendeku midis objektivave dhe realitetit po i afrohet niveleve të fantazisë dhe nuk ka penalizime për këtë dështim të vazhdueshëm”, tha ai.
Kompanitë ajrore gjithashtu kërkojnë nga Brukseli që të përfundojë projektin “Qielli i Vetëm Evropian”, një nismë që do t’u lejonte operatorëve të fluturojnë në rrugën më të drejtë të mundshme brenda BE-së, në vend që të ndjekin devijime për shkak të kontrollit të fragmentuar të trafikut ajror.
“Kur fluturon nga Londra Stansted drejt Qipros, kalon nëpër disa pika ajrore në qiell. Nuk është aspak një vijë e drejtë… por BE ka qenë zhgënjyeshëm e ngadaltë,” tha një burim pranë një operatori të madh turistik.