
Mandati i vetëm i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” po vihet në pikëpyetje. Në nënshkrimin e marrëveshjes që dy partitë “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje” nënshkruan para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, palët ranë dakord se mandatet do i merrnin kandidatët më me shumë vota që do të ishin të vendosur në listën e hapur. Por tashmë kanë nisur “konfrontimet” pasi rrezikohet që ky akord mund të mos zbatohet. Kjo pasi kandidati i Nismës Thurje në listën e mbyllur në Tiranë, Zeqir Kordhoni ka depozituar në KQZ kërkesën për t’u njohur me letrën e dorëhqjes që koalicioni ka dorëzuar në emër të tij para zgjedhjeve të 11 majit.
“Unë, Zeqir Kordhoni jam deputet i partisë “Nisma Shqipëria Bëhet”. Kam mësuar se partia “Shqipëria Bëhet” ka dërguar një letër dorëheqje në emrin tim. Dua të kërkoj një kopje të kësaj letre,”-shkruan Kordhoni në letrën e tij.
Kordhoni, i cili është familjari i Endri Shabanit. Ai si shumë familjarë të tjerë u vendosën në listat e mbyllura, si “garanci” që të linin mandatet dhe më pas të vendoseshin kandidatët që merrnin më shumë vota në listën e hapur. Por Kordhoni në deklaratat e tij për mediat është shprehur se i është drejtuar KQZ për të verifikuar se çfarë ka firmosur pasi nuk mban mend të hedhur firmën mbi një dokument që të lërë mandatit e fituar në zgjedhje. Sipas tij, pasi të njihet me dokumentacionin e dorëzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të ulet për të diskutuar me dy drejtuesit e koalicionit Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani. Kjo sepse pretendon se nuk ka rënë dakord që të linte mandatin e tij në rast se do të fitonte.
Në Tiranë, fituese e mandatit të NSHB në Tiranë aktualisht është Ana Dajko, ndërsa më i votuari nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Ndaj sipas marrëveshjes, duhet që Dajko dhe të gjithë të tjerët të lënë mandatin që në Kuvend të futet Lapaj, por Zeqir Kordhoni, i renditur i 9-ti në listën e Tiranës duket se ka plane të tjera. Vendimin tashmë do ta marrë KQZ, por për qarkun e Tiranës, mandatet ende nuk janë ndarë pasi Partia Demokratike ka vendosur që të ankimojë procesin në Kolegjin Zgjedhor.