
Shqipëria ka dhënë dhjetëra leje për ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë dhe përronjtë e vendit, shpesh nën flamurin e “investimeve strategjike”. Por këto projekte shpesh prekin komunitete të vogla rurale, ku burimet ujore nuk janë thjesht një element natyror, por themeli i jetesës.
Në shumë raste, kompanitë private marrin në përdorim për 30–35 vite përroje e lumenj që më parë përdoreshin nga banorët pa ndërprerje.
Shumë prej tyre e mësojnë vonë se burimi që dikur pinin është shndërruar në “aset energjetik”, pa qenë as pyetur, as dëmshpërblyer. Disa ditë më parë, një përplasje e dhunshme ka tronditur së fundmi zonën e Matit, ku disa banorë të fshatit Vinjoll kanë ushtruar dhunë ndaj një investitori, në shenjë proteste ndaj ndërtimit të një hidrocentrali që, sipas tyre, po cenon burimet ujore të fshatit. Incidenti shënon kulmin e një pakënaqësie të akumuluar ndër vite ndaj ndërhyrjes në përroin e Lusës, një degë e lumit Mat, e përdorur tradicionalisht për ujë të pijshëm dhe vaditje.
Kush qëndron pas projektit?
Pas hidrocentralit qëndron kompania “Doma Group sh.p.k.”, në pronësi të vëllezërve Doma, me administrator Ashim (Hashim) Doma, një emër i njohur në zonë si figurë e lidhur me biznesin dhe politikën lokale. Ai ka qenë kandidat për deputet në Dibër me Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2013. Projekti për ndërtimin e hidrocentralit në Vinjoll është paraqitur për herë të parë në vitin 2013, por u bllokua për disa vite, duke rifilluar zyrtarisht në vitin 2020. Këshilli Kombëtar i Territorit, më 24 prill 2024, miratoi vijimin e punimeve, ndërsa Agjencia e Zhvillimit të Territorit i dha lejen përfundimtare më 23 janar 2025.
Çfarë ndodhi në protestë?
Tensionet mes komunitetit dhe kompanisë shpërthyen në dhunë kur disa të rinj goditën Ashim Domën, 39 vjeç, dhe dëmtuan automjetin e kompanisë në zonën e Kurçelajt. Sipas Policisë së Matit, katër banorë janë proceduar penalisht. Të katërt janë banorë të Klosit. Në rastin konkret, përroi i Lusës rrezikon të humbasë vlerën jetike që ka për qindra banorë të Vinjollit dhe Kurçelajt, të cilët thonë se nuk janë kundër zhvillimit, por kundër grabitjes së burimeve natyrore që ndikon drejtpërdrejt në mbijetesën e tyre.