
ONE Albania mashtron dhe partnerët ndërkombëtarë me dyqanet, 4iG sjell mbikqyrësit hungarezë
Një valë e rëndë akuzash dhe pakënaqësish ka përfshirë kompaninë celulare “One”, e cila po përballet me një skandal të brendshëm me pasoja serioze për besueshmërinë e saj në treg. Sipas burimeve mediatike, partnerët tregtarë të “One”, kryesisht dyqanet që operojnë nën logon e saj në gjithë vendin, kanë denoncuar një skemë mashtrimi të organizuar, që ka nisur në prill të vitit 2024.

Partnerët kanë ngritur akuza të forta për praktika zhvatëse dhe ndryshime të njëanshme në politikat tregtare, që sipas tyre kanë çuar në humbje financiare të konsiderueshme, duke ngritur dyshime për qëllime të mirëfillta mashtruese nga menaxhmenti lokal. Kjo situatë ka çuar në një klimë mosbesimi dhe në disa raste edhe në shkëputje bashkëpunimesh, çka rrezikon drejtpërdrejt rrjetin e shitjes së kompanisë.
Përballë presionit në rritje, kompania hungareze 4iG, që zotëron në pronësi operatorin “One”, ka vendosur të ndërhyjë me urgjencë, duke dërguar mbikëqyrës të posaçëm nga Hungaria për të hetuar në terren shkeljet e pretenduara dhe për të rivendosur kontrollin dhe transparencën në menaxhimin e kompanisë në Shqipëri.
Por kjo nuk është e vetmja krizë me të cilën po përballet “One”. Në muajt e fundit, punonjës të brendshëm të kompanisë kanë ngritur zërin për kushte të dobëta pune, mungesë komunikimi me drejtuesit, presion të lartë psikologjik dhe mungesë motivimi, duke sinjalizuar për një klimë të tensionuar dhe jo të shëndetshme organizative.
Disa burime i kanë cilësuar zyrat e kompanisë si “të mbushura me pasiguri dhe tension të përhershëm”, ndërsa është raportuar edhe për largime të shpeshta të stafit, përfshirë edhe drejtues të mesëm dhe të lartë.
Të gjitha këto zhvillime vijnë në një moment kur tregu i telekomunikacionit në Shqipëri është më konkurrues se kurrë dhe ku çdo lëvizje e gabuar mund të ketë pasoja të menjëhershme për imazhin dhe pozicionin në treg.
Për momentin, kompania nuk ka dalë me një deklaratë publike, ndërsa pritet që pas përfundimit të hetimit të brendshëm nga ekipi i 4iG të merren masa konkrete dhe të bëhet transparencë mbi përgjegjësitë.