
Aktori dhe producenti Ermal Mamaqi ka folur hapur për vendimin e tij për t’u shkëputur nga televizioni, duke pranuar se e mori këtë hap pasi ndjeu se koha e tij për atë format show ishte drejt përfundimit. Në një deklaratë publike, Mamaqi tha se kishte kuptuar që ndodhej në një fazë rënieje dhe vendosi të largohej pikërisht atëherë.
“Unë jam shumë elastik në transformimin e personazhit tim. Mendoj që koha ime për atë lloj show… e pashë që isha në rënie,” – shprehet ai. “E di kur është momenti më i mirë për të mbyllur një bisedë? Kur është në kulmin e saj. E ndjeva që po shkoja poshtë dhe aty mbaroi.”
Duke folur për përvojën e tij në ekran, Mamaqi u shpreh se televizioni është një “mashtrim i madh” dhe se nuk e ndjen mungesën e tij. “Kur e realizon veten në forma të tjera, nuk i ndjen këto lloj mungesash,” – shtoi ai.
Në lidhje me mundësinë e një rikthimi në televizion, aktori konfirmoi se ka marrë disa oferta, por i ka refuzuar. “Më kanë bërë disa oferta, i kam thënë faleminderit, por jo. Nëse do më vinte ndonjë projekt sfidues, po, do ta pranoja me kënaqësi,” – tha Mamaqi.