
Ashtu siç kishin paralajmëruar, banorët e Thethit kanë dalë këtë të mërkurë në protestë kundër aksionit të IKMT për prishjen e 40 objekteve pa leje të nisur prej së hënës. Ata kanë bllokuar urën në hyrje të fshatit, ndërsa ka pasur tensione edhe me forcat e policisë, të cilat janë prezente në vendngjarje.
Një sipërmarrës, i indinjuar, thotë se e papranueshme ndërmarrja e një aksioni të tillë në mes të sezonit. Duke e cilësuar si masakër, ai shprehet se me investimet e tyre i kanë dhënë ‘frymëmarrje’ zonës, dhe se shteti, me këto veprime, po largon turistët por edhe ata persona që kanë investuar në zona rurale.
Një tjetër banor, i cili ndonëse invalid ka dalë të protestojë, shprehet me lot në sy se ka investuar në të gjithë kursimet e jetës. Ai deklaron se ka ndërtuar 5 shtëpia prej druri në tokën e tij të trashëguar prej shumë vitesh dhe siç shton ai, s’ka asnjë pëllëmbë beton.
“Të gjithë shpenzimet e jetës. Kam ndërtuar 5 shtëpia druri pa beton dhe asgjë në tokën time. Kemi kërkuar por thonë nuk ka leje, toka është e imja, është trashëgimtare brez pas brezi. Kërkojmë prej shtetit që të mos i prishë sepse dalim në rrugë të madhe. Veç me vdekur, nuk e di me çfarë ka me jetuar familja ime. Synojmë me na lënë shteti me jetuar. Vetë kanë thënë me investuar, unë nuk jam i ardhur por jam këtu. Toka është e jona 200 vjeçare. Ashtu siç kanë thënë kemi investuar, nuk ka asnjë pëllëmbë beton.”, thotë banori.
“Janë shtëpia druri, pa beton, pa asgjë, thjesht druri në tokën time”, shprehet një banor me aftësi të kufizuara mes lotësh. “Kemi aplikuar për leje por nuk na e japin. Kërkojmë nga shteti që të mos na i prishë, ngelim në rrugë të madhe.”
Protesta e tyre vjne pasi IKMT do të shembë 40 objekte në të gjithë fshatin, 5 prej të cilave, u shembën një ditë më parë. Të hënën u hoqën në zemër të Thethir edhe 12 kabina të vendosura pa leje, pas denoncimit të kryeministrit Edi Rama se ishin vënë në kundërshtim me ligjuin dhe se prokuroria e Shkodrës s’kishte nisur hetim.
Kryeministri Rama e quajti masakër të mirëfilltë ndërtimin e këtyre kabinave pa leje. /korrieri