
Sinjalet e para të “flluskës” së ndërtimit në Tiranë janë të qarta. Tashmë këtë e pranojnë dhe agjentë imobiliarë, ata që bënin ‘luftë’ që ky fakt të mos vërtetohej.
Agjenti imobiliar Armand Shkëmbi është njëri nga shumë kolegët e tij që po deklarojnë se tregu i ndërtimeve dhe shit-blerjes së apartamenteve në Shqipëri po “ftohet”. Që do të thotë se çmimet kanë nisur që të bien ose apartamentet do të mbeten të pashitura.
Në një deklaratë që Shkëmbi ka bërë në rrjetet sociale, ka shpjeguar edhe arsyet përse. Sipas Shkëmbit, problemi në Shqipëri nis me ndërtimet në gropë dhe faktin që ndërtuesit nuk përdorin kapitalin e tyre por paratë e “porosive” për apartamente. Por këto godina jo gjithmonë ndërtohen, gjë që shton rrezikun për humbjen e parave, dhe flasim për qindra mijëra euro. Ndaj ka edhe një këshillë për të gjithë ata që janë të interesuar në investimin në pasuri të paluajtshme.
“Tregu i pronave në Tiranë ka nisur që të japë shenja ftohje. Çfarë do të thotë kjo për ty si emigrant? Mos investo në gropa pallatesh sepse ka rrezik që ato të mos ndërtohen fare. Sepse ndërtuesit shqiptarë ndërtojnë me lekët e blerësve dhe jo me kapitalin e tyre. Dhe duke qenë se tregu ka nisur që të ftohet ata kanë më pak lekë për të ndërtuar dhe rrezikojnë që të mos i ndërtojnë fare pallatet. Nëse ke investuar në projekte të tilla para 6 muajsh apo para 1 viti është momenti ideal për t’i shitur këto prona dhe për të dalë nga kjo situatë në kohë. Në përgjegjësi unë do të sugjeroja që të mbajë në Tiranë apo në Shqipëri ndonjë pronë me të cilën ke lidhje emocionale, shtëpia ku je rritur, përndryshe pronat e tjera është e mira që t’i shesësh dhe t’i investosh aty ku ti jeton. Pse? Sepse tregu shqiptar është i mirë për spekulim, por jo për të dhënë me qera. Sepse kthimi nga qeraja është 4-5% ndërkohë që tregje si Anglia e Veriut psh. kthimi është 7% në vit”,thotë në video Armand Shkëmbi.
Debati për “shfryrjen” e flluskës së ndërtimit ka nisur pasi Shqipëria e ka thelluar kryesimin si “kampione” e Evropës në ndërtim në vitin 2024. Por duket se në terren ka dy paralele, pasi teksa në vendin tonë ende ka pikëpyetje të mëdha mbi njerëzit që blejnë prona, pallate dhe kulla të reja ndërtohen çdo ditë. Së fundmi, çështja e ndërtimeve është kthyer në fokusin e të gjithëve, raporton Zëri.