
Gjithnjë e më shumë ndërtues po presin që tendenca e çmimeve të apartamenteve të jetë në ulje në muajt në vijim. Indeksi i besimit i Bankës së Shqipërisë, për sektorin e ndërtimit u bën të anketuarve pyetjen:
Si prisni të ndryshojnë çmimet që ju do të vendosni gjatë 3 muajve të ardhshëm?
1. Do të rriten
2. S’do të ndryshojnë
3. Do të bien
Për muajin qershor, balanca e përgjigjeve vijon të mbetet pozitive, d.m.th. më shumë ndërtues presin që çmimet të rriten sesa të ulen, por kjo balancë është ulur ndjeshëm në raport me muajt e mëparshëm. Balanca e përgjigjeve ishte 7.2 pikë përqindje në qershor, nga 14.3 pikë përqindje në maj. Rënia në balancë në tremujorin e fundit (nga 14.3 në 7.2) sugjeron se pritshmëritë për rritje çmimesh po zbehen. Pas muajit nëntor 2024, kjo është pritshmëria e dytë më e ulët që nga nëntori i vitit 2020.
Sipas Bankës së Shqipërisë, “treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u rrit me 1.6 pikë përqindje në qershor. Ky tregues qëndron 15.4 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rritja e TBN-së u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të larta për aktivitetin aktual ndërtues. Pritjet për çmimet dhe për punësimin në të ardhmen janë vlerësuar me rënie”.
Deri në fund të 2019-s, balanca e përgjigjeve për çmimet në ndërtim ishte negative, ose afër zeros, që tregonte se ndërtuesit nuk prisnin rritje të çmimeve. Nga viti 2021, ndërtuesit që prisnin rritje çmimesh u rritën ndjeshëm, duke kulmuar në mars-dhjetor 2022, me 30-48 pikë përqindje. Pritshmëria për rritje vijoi dhe përgjatë 2024-s, ndonëse me një balancë më të ulët, 11-17 pikë përqiddje.
Planet e ndërtuesve për çmimet rezultojnë se janë materializuar. Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se çmimet e banesave iu kthyen rritjes së shpejtë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Indeksi Fischer i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë tregoi që çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës u rrit me 23.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 44.5% në krahasim me një vit më parë.
Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, çmimet e shitjes në disa prej zonave periferike nga Paskuqani në Shkozë variojnë nga 900 deri 1,400 euro për metër katror.
Prej 3-4 vitesh, sipas agjentëve të tregut real estate, banesat brenda zonës së verdhë të ndërtimit ofrohen me çmime shitje mbi 1,500 euro për metër katror.
Ndërsa në zonat e qendrës dhe brenda Unazës së Vogël nuk gjen më apartamente me çmime nën 2,000 euro për metër katror dhe sa më shumë i afrohesh qendrës çmimet arrijnë në 3-4 mijë euro/metër katror.
Në zonën pranë liqenit dhe në kullat në qendër të Tiranës, çmimet fillojnë nga 5 mijë euro për metër katror.
Ekspertët e tregut të real estate-it vënë në dukje se ky nivel çmimesh në një treg me të ardhura mesatare ende më të ulëta se rajoni hap diskutime të vlefshme mbi përballueshmërinë për blerësit vendas dhe mbi potencialin për të orientuar zhvillimin urban në mënyra që të përfitojnë nga kërkesa e re dhe dinamika të reja të tregut./Monitor