
Një ndërtesë në zonën rurale të Veronës, një kompleks me 30 dyqane e zyra me qira të majme, një shoqëri ndërtimi dhe një llogari bankare që gjeneronte 400 mijë euro në vit. Në dukje, një histori suksesi e një kompanie ndërtimi në Itali. Por pas kësaj strukture, një hetim i përbashkët mes SPAK dhe Prokurorisë së Veronës, me ndihmën e Guardia di Finanza, zbuloi një organizatë kriminale shqiptare me rrënjë në Elbasan, që përdorte ndërtimin për të pastruar miliona të ardhura nga trafiku ndërkombëtar i kokainës.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Prokurorinë e Veronës, ka zhvilluar një operacion të përbashkët që çoi në sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 4 milionë euro, të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale.
“Hetimet konstatuan se këto pasuri janë krijuar dhe financuar me përfitimet nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në tregjet europiane,” thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.
Pas një pune disamujore u zbulua rrjeti që, përmes kanaleve bankare, transferonte para nga Shqipëria në Itali, për t’i investuar më pas në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Modeli ishte i thjeshtë në dukje, por efektiv. Organizata kriminale trafikonte lëndë narkotike nga Amerika e Jugut në tregjet europiane.
Paratë e përfituara transferoheshin përmes sistemit bankar drejt një shoqërie ndërtimi në Itali, ku përdoreshin për blerje, rikonstruksion dhe dhënie me qira të pasurive të paluajtshme.
“Përdorimi i burimeve të mëdha financiare që derdheshin nga Shqipëria në ekonominë italiane përfaqësonte hallkën përfundimtare të pastrimit të parave”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.
Për autoritetet hetuese, kjo ishte një formë e sofistikuar e pastrimit të parave, ku paraja e pisët transformohej në të ardhura të ligjshme përmes sektorëve të ndjeshëm si ndërtimi dhe qiradhënia.
Hetimet zbuluan gjithashtu përfshirjen e një çifti shqiptarësh, administratorë të një shoqërie ndërtimi në Verona, të cilët kishin pasur më parë përfshirje në trafik droge.
“Ata konsideroheshin si njerëzit e besuar të dy vëllezërve dhe rezultuan të figuronin në listën e pagesave të organizatës kriminale. Kontrolle janë kryer edhe ndaj subjekteve kryesore dhe ndihmësve të tyre italianë, me qëllim gjetjen e provave të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e SPAK.
“Shteg.org” ka mësuar se bëhet fjalë për vëllezërit Suel dhe Mario Çela nga Elbasani.
Ndaj Suel çelës rëndojnë akuza për vepra penale si “Vrasjes me paramendim”, e mbetur në tentativë ndaj Lulzim Mashasit, “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimit të mjeteve dhe kushteve”, përfshirje në manipulimin e proceseve gjyqësore si rasti i bashkëpunimit të ish-gjyqtares Pajtime Fetahu për ndryshimin e një dëshmie, kreu i një grupi të organizuar kriminal, trafik i lëndëve narkotike etj. Ai është në kërkim që prej vitit 2022 nga SPAK.
Ndërsa vëllai tjetër u arrestua para një viti, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet belge, mbi dyshimet për përfshirje në një vrasje në Antëerp, Belgjikë, si pasojë e konflikteve midis grupeve rivale për trafikun e drogës. Për këtë të fundit, po ashtu, GjKKO ka lëshuar një vendim për veprat penale “Vrasje me paramendim”, “Mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve”, “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “ Pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Sipas Prokurorisë së Veronës, ky është rasti i parë i një organizate kriminale shqiptare që investon drejtpërdrejt në pasuri të paluajtshme në territorin italian, përmes kanaleve bankare që transferonin të ardhura të paligjshme nga jashtë BE-së.
“Operacioni i kryer konfirmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar mes SPAK dhe autoriteteve italiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave,” thuhet në njoftimin zyrtar./korrieri