
Policia e Fierit ka shoqëruar administratorin e kompanisë Bankers Petroleum në Shqipëri, shtetasin kinez Huan Qin Xiao. Lëvizja duket se vjen mes hetimeve të shtuara ndaj aktivitetit të kësaj kompanie, e cila prej vitesh ka në koncesion fushën më të madhe të naftës në vend, atë të Patos-Marinzës.
Bankers Petroleum, një nga aktorët kryesorë të shfrytëzimit të pasurive nëntokësore në Shqipëri, është akuzuar në mënyrë të përsëritur për shmangie të detyrimeve të plota financiare ndaj shtetit shqiptar. Dyshimet kryesore lidhen me skemat e manipulimit të shpenzimeve, të cilat lejojnë uljen artificiale të fitimeve të deklaruara dhe, si rrjedhojë, edhe të pagesave që duhen bërë ndaj buxhetit të shtetit.
Prej vitesh, auditime të ndryshme nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe institucione të tjera kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si kompania llogarit shpenzimet operative dhe investimet, duke krijuar hije dyshimi për evazion të qëllimshëm dhe abuzim me kontratën koncesionare.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë sekuestruar dokumente dhe po analizohen të dhëna financiare, ndërsa hetimet janë në fazë intensive. Aktualisht, nuk është bërë publik ndonjë informacion për masë ndalimi apo akuza konkrete. /korrieri