
Një valë intensive të nxehti afrikan ka përfshirë të gjithë rajonin e Mesdheut, me temperatura përvëluese që po prekin Italinë, Ballkanin dhe më gjerë. Sipas parashikimeve më të fundit, pritet që temperaturat të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në disa zona gjatë ditëve në vijim.
Në Itali, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur gjendjen e emergjencës për të premten në 13 qytete të mëdha, për shkak të rrezikut të lartë që përfaqëson i nxehti ekstrem për grupet më të ndjeshme, si të moshuarit dhe fëmijët. Mes qyteteve të përfshira janë Roma, Firenze, Bologna dhe Napoli, ku autoritetet kanë nisur fushata ndërgjegjësimi dhe janë shtuar ekipet mjekësore në terren.
Në Siçili, ku vala pritet të kulmojë, autoritetet kanë vendosur ndalimin e aktiviteteve të jashtme gjatë orëve të pikut të vapës, për të shmangur problemet shëndetësore dhe incidentet nga rrezatimi ekstrem.
E njëjta situatë po përjetohet edhe në Shqipëri, ku temperaturat në rritje kanë shtuar ndjeshëm numrin e vizitave në urgjenca. Qendra shëndetësore në qytete të ndryshme po raportojnë më shumë raste të të moshuarve dhe fëmijëve me shenja lodhjeje nga i nxehti, dehidratim apo tension të ulët.
Ekspertët e shëndetit publik këshillojnë shmangien e ekspozimit në diell gjatë mesditës, hidratim të vazhdueshëm dhe përdorimin e veshjeve të lehta. Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar nevojën për kujdes të shtuar. /korrieri