
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, i cili ka shpallur të pavlefshme një votë për Partinë Socialiste në Tiranë gjatë procesit të rinumërimit të votave për zgjedhjet e 11 majit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Braçe ka shprehur pakënaqësinë e tij duke kritikuar vendimin për të shpallur të pavlefshme një fletë votimi në të cilën në vend të shenjës tradicionale ishte vizatuar një simbol i organit gjenital mashkullor. Ai e ka quajtur këtë simbol “topi i Mato Grudës” dhe ka theksuar se në rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një votë e tillë nuk përjashtohet nga vlefshmëria.
Braçe ka sjellë në vëmendje edhe një rast tjetër ku një votë me një zemër të vizatuar në kutinë e Partisë është konsideruar e vlefshme, duke ngritur pikëpyetje mbi standardet e vendimeve të KAS.
“Përse një zemër është e vlefshme, por topi i Matos jo?”, pyet Braçe, ndërsa thotë se manuali i KQZ nuk e parashikon një shenjë të tillë si të pavlefshme dhe se shumë nga votat që po shpallen të pavlefshme nuk përputhen me asnjë shembull në dokumentet zyrtare të Komisionit.
Nga ana tjetër, anëtari i KAS, Ledio Braho, në një deklaratë për mediat nga Pallati i Sportit Farie Hoti në Tiranë, ku po vijon rinumërimi i votave, u shpreh se nëse Partia Socialiste kërkon në mënyrë zyrtare që votat me këtë lloj shenje të konsiderohen të vlefshme, KAS do të shprehet me një vendim përkatës.
“PS, ashtu siç veproi disa ditë më parë, mund t’i drejtohet KAS me një kërkesë për vlefshmërinë e votave të shënuara në këtë mënyrë dhe ne do të marrim një vendim,” tha Braho.
Ai ka mohuar gjithashtu akuzat për trafikim votash të ngritura nga opozita, duke theksuar se nuk janë konstatuar shkelje të rënda dhe se bëhet fjalë për raste të veçuara të interpretimit të mënyrës së votimit.
Sipas tij, në disa raste janë vënë re gabime njerëzore gjatë hedhjes së të dhënave në sistem, por këto duhet analizuar rast pas rasti./korrieri