
Një tjetër ngarkesë mishi e kontaminuar me salmonelë është përpjekur të hyjë në tregun shqiptar. Dy kompani që merren me importin e mishit kanë sjellë sasi të konsiderueshme mishi, të cilat pas analizave të kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) — i certifikuar ndërkombëtarisht — kanë rezultuar të infektuara me salmonelë.
Sipas procedurës ligjore, pas zbulimit të kontaminimit, inspektori i Pikës së Kontrollit Kufitar (PIK), i cili ka marrë mostrat, duhet të urdhërojë kthimin e menjëhershëm të ngarkesës në vendin e origjinës. Megjithatë, këtë herë situata ka marrë një kthesë të pazakontë.
Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Manush Kullolli, më datë 20 qershor 2025 është kërkuar që analizat të kryhen në një laborator të vendeve të Bashkimit Europian. Ky vendim bie ndesh me qëndrimin e mëparshëm të vetë drejtorit, i cili më 30 maj 2025 i kishte kthyer përgjigje bizneseve se analizat nuk mund të bëhen jashtë vendit.
Ky qëndrim i dyfishtë i kreut të AKU ngre pikëpyetje serioze mbi besueshmërinë e institucioneve tona. Nëse vetë drejtori i AKU nuk ka besim tek ISUV, atëherë pse ky institut vijon të funksionojë si laborator referent për sigurinë ushqimore në vend? Dyshimet mbi ndërhyrje të mundshme në këtë rast mbeten të forta dhe rrisin shqetësimet për sigurinë e konsumatorëve shqiptarë. /korrieri