
Tenderi i shumëpërfolur për marrjen me qira të automjeteve për Policinë e Shtetit është finalizuar, duke shpallur fituesit mes debatesh për kostot dhe procedurën e ndjekur. Operatori i Blerjeve të Përqendruara, me kërkesë të Policisë së Shtetit, pritet të nënshkruajë kontratat me dy kompani fituese që do të furnizojnë mjetet.
Sipas të dhënave të bëra publike, një automjet tip sedan do të merret me qira për 4 vite me një kosto prej rreth 33 mijë euro për mjet, ndërsa një automjet SUV (foristradë) do të kushtojë rreth 34 mijë euro për të njëjtën periudhë.
Kostot e larta të marrjes me qira janë të ngjashme me çmimet e blerjes së këtyre mjeteve në treg, duke ngritur pyetje mbi efikasitetin financiar të kësaj zgjidhjeje. Kontrata parashikon që pas katër vitesh përdorim, mjetet t’i rikthehen kompanive koncesionare për rishitje apo dhënie me qira sërish.
Në tenderin për mjetet sedan, fituese u shpall kompania “Eurocar Rentals” për 60 automjete me ofertë 198 milionë lekë, ndërkohë që një ofertë më e ulët prej 171 milionë lekësh nga “Albania Motor Company” u skualifikua me argumentin se nuk kishte eksperiencë të mjaftueshme në tre vitet e fundit.
Për segmentin e SUV-ve, fituese u shpall kompania “Mektrin Motors” me ofertë 201 milionë lekë për 60 automjete. Edhe në këtë rast, ofertat më të ulëta të kompanive “Albania Motor Company” dhe “Porsche Leasing” u skualifikuan. “Porsche Leasing” u përjashtua pasi nuk dorëzoi informacionin mbi strukturën e pronësisë së aksionarëve.
Sipas kushteve të kontratës, automjetet do të përdoren nga Policia e Shtetit për një mesatare prej 130 mijë kilometrash për çdo automjet gjatë periudhës katërvjeçare. Në përfundim të afatit, mjetet do t’i dorëzohen sërish kompanive që i kanë ofruar me qira.
Ky tender është pjesë e një serie marrëveshjesh të mëparshme që kanë shkaktuar vazhdimisht debate mbi mënyrën e përzgjedhjes së fituesve, kushtet e kontratave dhe eficiencën e përdorimit të fondeve publike. /korrieri