
Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë vendimin e dhënë më 10 shkurt 2025, nga Gjykata e Korçës, që parashikonte një total prej 83 vitesh burg për të pandehurit në çështjen e vrasjes së Martin Çeços, duke ndjekur kërkesën e Prokurorisë.
Me vendimin e sotëm, trupa gjykuese e Apelit me relatore Marsela Pepi dhe anëtarë Genti Dokollari e Irena Brahimi ka vendosur prishjen e këtij vendimi dhe kthimin e çështjes për rigjykim në të njëjtën gjykatë, por me një trupë tjetër gjyqësore.
Më herët, Gjykata e Korçës dënoi katër autorët me 83 vite burgim në total, nga të cilat 20 vite do i vuante Martina Pajollari.
E reja ishte në një lidhje me viktimën, por nga hetimet e prokurorisë rezultoi se ajo kishte nxjerrë në pritë 26-vjeçarin.
Dyshohet po ashtu se gjatë kohës që ka qenë në një raport dashurie me të riun, ka patur lidhje me një nga kushërinjtë Mollaj, që u dënuan për krimin e rëndë të tre viteve më parë.
Rasti që tronditi Maliqin
Martin Çeço u vra më 12 qershor 2022. I riu u gjet i mbytur me litar dhe i hedhur në rezervuar pas dy ditësh që kishte humbur kontaktet me familjen.
Policia dhe Prokuroria e Korçës arrestuan si të dyshuar të ngjarjes kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollajn nga fshati Marjan i Korçës dhe bariun e tyre Bledi Angjo. Sipas hetuesve motiv i ngjarjes ishte fakti se viktima ishte në një lidhje me Martina Pajollarin, me të cilën u tha që ishte paralelisht në një lidhje edhe me njërin prej kushërinjve.
Më pas prokuroria vuri në bankën e të akuzuarit dhe Martina Pajollarin si bashkëpunëtore në këtë ngjarje, pasi u dyshua se kishte nxjerrë në pritë viktimën.
Sipas palës mbrojtëse në gjykim, në asnjë moment nuk u vërtetuar direkt apo indirekt lidhja e të pandehurve me viktimën.
Mbrojtja në seancë e kryer nga avokatë të ndryshëm, artikuloi se nuk është kërkuar nga prokuroria vënia në dispozicion e materialeve nga kompania “Meta” ku është pretenduar se viktima dhe autorët e dyshuar kanë pasur kontakt.
Ndërkaq sipas tyre në gjykatë asnjë provë nuk vërteton që Valter dhe Edlir Mollaj të kenë kryer ketë krim dhe paralajmëruan apelim të vendimit.