
Sot është dita e gjashtë e rinumërimit të votave për partitë dhe kandidatët për qarkun e Tiranës. Deri më sot, janë hapur 651 kuti nga 1282 në total.
Nga të gjitha partitë, rezulton se Partia Demokratike ka marrë më shumë vota gabimisht, e ndjekur nga Partia Socialiste. PD ka siguruar padrejtësisht 335 vota, ndërsa socialistët 248 të tilla. Lëvizje të mëdha votash ka edhe mes kandidatëve në listën e hapur brenda partive.
Mes demokratëve, më shumë vota që nuk janë të tijat, ka siguruar Ilir Alimehmeti, plot 102 të tilla, i ndjekur nga Jorida Tabaku që ka marrë 75 vota pa meritë. Edhe për socialistët ka pasur gabime, por ndryshimi i vetëm është që mes tyre mund të ketë “këmbim” mandati.
Në PS, numrin më të lartë të votave pa meritë e ka ministri Ervin Hoxha me 259 vota, 128 ka Xhemal Qefalia, 127 Fatmir Xhafaj. Aty ku luhet mandati është gara mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit, diferencë e cila është ngushtuar.
Blerina Gjylameti ka fituar një vote, ndërsa Olta Xhaçka ka humbur 47 të tilla. Tashmë, diferenca mes tyre është ngushtuar në vetëm 92 vota, nga 140 që ishte fillimisht.
Nëse vazhdon me këto ritme, Xhaçka mund ta humbasë mandatin e deputetes, që do t’i kalojë Gjylametit. /korrieri