
Vatra e dytë e murtajës së ruminantëve të vegjël (e bagëtive të imta) është konfirmuar në qarkun e Korçës.
Autoritetet konfirmojnë se analizat kanë rezultuar pozitive për një nga fermat e fshatit Shkoze në bashkinë e Maliqit, ku më tepër se 180 krerë do të groposen.
“Përgjigjet e laboratorit konfirmuan vatrën e dytë që ndodhet në fshatin Shkoze të Bashkisë Maliq. Aktualisht sot do eliminohen rreth 110 krerë të leshtë, çdo fermë që rezulton pozitive eliminohen gjithë kafshët. Kjo sëmundje nuk dëmshpërblehet nga shteti pasi bie për herë të parë në Shqipëri, mendoj se duhet të ndihmojë. Risku është, kemi marrë masat, këtu janë gati 2000 krerë te imta që rrezikojnë”, thotë Demirali Latollari.
Fermeri që zotëron fermën e infektuar tregon se dëmi është kolosal, aq sa i ka ngelur vetëm vetëflijimi në rast se nuk ndihmohet nga shteti.
“Do groposen mbi 180. Dëm shumë i madh, nuk llogaritet. Duam pak ndihmë, ne me këto kemi bukën. Vetëm me këtë punë merremi. Në rrugë jam, në borxhe jam. Po nuk dhanë ndihmë, do hap gropën ngjitur për veten time”, shprehet fermeri Enkel Shkembasi.
Autoritetet veterinare shprehen se situata është në kontroll edhe pse dëmi i përllogaritur është i madh.