
Qeveria izraelite ka njoftuar se është pajtuar me propozimin e Presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e një armëpushimi me Iranin, pas tensioneve të rritura mes dy vendeve.
Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e Kryeministrit Benjamin Netanjahu, thuhet se Izraeli do t’i qëndrojë marrëveshjes për armëpushim, por paralajmëron se do të reagojë “me forcë” ndaj çdo shkeljeje të saj nga ana e Iranit.
“Ne kemi arritur objektivin tonë strategjik për të eliminuar kërcënimin bërthamor dhe balistik të regjimit iranian,” – thuhet në deklaratë. Po ashtu, qeveria izraelite falënderon Presidentin Donald Trump për “mbështetjen në mbrojtje dhe pjesëmarrjen aktive në arritjen e kësaj marrëveshjeje historike.”
Kryeministri Netanjahu pritet të mbajë një deklaratë publike më vonë gjatë ditës, ku pritet të japë më shumë detaje mbi marrëveshjen dhe hapat e ardhshëm. /korrieri