
Vijon operacioni i policisë për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në qarkun e Fierit. Një 48-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi kishte kultivuar përgjatë kanaleve kulluese në fshatin Povelçë, 1000 bimë narkotike kanabis.
Eduart Gjikoli u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike. Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet babai i tij 77-vjeç.
Gjatë kontrollit të kryer në banesë blutë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 2 krehëra dhe 14 fishekë luftarak.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme dhe i hetimeve të kryera me metoda proaktive në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, goditën një tjetër rast të kultivim të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve, në vendin e quajtur “Fushat e fshatit Povelçë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier gjetën të kultivuara 1000 bimë të dyshuara narkotike kanabis.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike, shtetasi E. Gj., 48 vjeç, banues në Pojan, i cili u arrestua për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Në lidhje me këtë rast u procedua penalisht edhe babai i shtetasit E. Gj., shtetasi E. Gj., 77 vjeç, i dyshuar i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 2 krehëra dhe 14 fishekë luftarak.
Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.