
Kuvendi i Shqipërisë ka finalizuar tenderin me vlerë 750 mijë euro për të zbardhur fjalimet e ligjvënësve. Duket se zgjedhja e Sara Miles, Zegjine Caushit, Arkend Ballës, e shumë të tjerëve si deputet për herë të parë, ka qenë fatsjellëse edhe për administratën e Parlamentit.
Tenderi në fjalë ka dështuar disa herë, teksa vetëm ditët e fundit dhe pas zgjedhjeve të 11 majit, është finalizuar. Më në fund, fjalimet brilante të Zegjinesë, apo edhe rioshëve të tjerë, disa të akuzuar se u ndihmuan nga grupe të caktuara, apo edhe fjalimet e ish-njerëzve të drejtësisë, do të bëhen me Inteligjencë Artificiale.
Tashmë, sdo të pretendojnë se iu ndryshua njëra apo tjetra fjali, ku më interesante do të duket zbardhja e debateve mes Zegjinesë me Gaz Bardhin. Duket se me hyrjet e reja, apo edhe me teknologjinë e re, do të ngrihet edhe niveli i debateve në Kuvend.
Por, a do të mendojnë për veten, të thonë ato çka thanë në fushatë, apo po ulen në karriget e deputetit për të zgjidhur hallet e popullit?! Kushtet i kanë për të gjitha, të paktën në këtë 4 vjeçar, ku mazhoranca aktuale i ka të gjithë numrat që të ndryshojë çfarëdolloj ligji, pasi i duhet vetëm një votë nga shumica e cilësuar.
Njoftimi i fituesit të tenderit për Inteligjencën Financiare në Kuvend
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, ditët e fundit është finalizuar tenderi me objekt “blerje e sistemit të transkriptimit të të dhënave audio-video të Kuvendit, bazuar në inteligjencën artificiale dhe shërbim mirëmbajtje 48 muaj”. Fondi i akorduar është rreth 750 mijë euro. Fitues u shpall operatori ekonomik “Dega Semos AL” dhe me subjekte mbështetëse “PC Store” dje “BitGenius”.
Në dokumentet shoqëruese, Kuvendi shkruan se “me zhvillimet dhe përmirësimet më të fundit në Teknologjinë e Informacionit dhe sidomos në Inteligjencën Artificiale duke përdorur algoritme dhe platforma të mësimit të makinës, Parlamenti Shqiptar ka identifikuar nevojën për një zgjidhje që do të asistojë palët e përfshira të zhvillojnë një platformë që do t’i ndihmojë ata në transkriptimin e të gjitha takimeve pjesë e aktivitetit parlamentar (seancë plenare, mbledhje komisionesh parlamentare, të përhershme dhe të posaçme, dhe çdo mbledhje tjetër të forumeve të Kuvendit), kategorizimin e informacionit, publikimin në të gjitha kanalet dhe dokumentimin e aktivitetit parlamentar, duke iu përgjigjur kështu të gjitha palëve të interesuara brenda angazhimit institucional për forcimin e transparencës dhe promovimin e demokracisë”.
Dokumentet shoqëruese të Kuvendit, ku shpjegohet se përse kërkohet IA
Kuvendi shkruan se zbardhja e fjalimeve në mënyrë manuale, pa ndihmën e Teknologjisë së Informacionit është i vështirë dhe thuajse gjithmonë kërkon përpjekje të sforcuara të stafit për të përballuar fluksin e lartë të punës. “Procesi i zbardhjes me kufje dhe i redaktimit e korrektimit merr kohë, në disa raste është madje e pamundur të ndiqet ritmi për shkak të intensitetit të aktivitetit parlamentar. Kjo sjell vonesa në përpilimin e procesverbaleve në kohë të shpejtë” thuhet në dokumente.
Sipas saj, në prag të përparimeve teknologjike në fushën e procesimit të tingujve audio dhe të tekstit, ngritja e Inteligjencës Artificiale dhe e të gjitha teknologjive të lidhura me të, procesimi i një gjuhe të folur, konvertimi i saj në tekst, shënimi dhe kategorizimi i informacionit, bëhet i mundur.
“Zbatimi i një sistemi inteligjent transkriptimi dhe shënimet e të dhënave do të lejojnë Kuvendin e Shqipërisë të transkriptojë automatikisht seancat plenare, takimet e komisioneve, të agregojë, shënojë dhe grupojë regjistrimet e folësve, gjë që do të përparojë agjendën e forcimit të transparencës legjislative përmes Teknologjisë së Informacionit, por jo vetëm” vijon dokumenti. /voxnews