
Gazetarja Klodiana Lala ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e sotme në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku zbuloi emrin e një ministri aktual që ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Sipas Lalës, bëhet fjalë për ministrin Arbjan Mazniku, i cili akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe shkelje të barazisë në tendera, një çështje që tashmë është kaluar nga Prokuroria e Tiranës për kompetencë në SPAK.
Lala theksoi se në njoftimin zyrtar të mëparshëm nga SPAK për hetimin ndaj një ministri, kishte një paqartësi në interpretim, pasi ai i referohej fillimisht rastit të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Sipas saj, SPAK ka sqaruar se në kohën kur nisi hetimi, Ahmetaj mbante ende funksionin e ministrit, por kjo nuk është çështja e vetme në hetim.
“Ka një lapsus në njoftimin se po hetohet një ministër. SPAK ka një libër për transparencën. Rasti që është bërë publik ka të bëjë me zotin Ahmetaj. Në kohën që ka nisur hetimi ka qenë në cilësinë e ministrit. Ka persona apo ministra aktualë që janë nën hetim, por nuk bëhen publikë,” – deklaroi gazetarja.
Sipas informacioneve të siguruara nga Lala, Prokuroria e Tiranës ka thirrur dhe pyetur Arbjan Maznikun 3-4 javë përpara zgjedhjeve parlamentare, në lidhje me një rrugë të ndërtuar në mënyrë të dyshimtë gjatë kohës kur ai ishte nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Rruga në fjalë ishte denoncuar nga kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës në vitin 2023, Belind Këlliçi, i cili pretendoi se ajo ishte ndërtuar pa tender dhe se procedura e tenderimit ishte zhvilluar pasi rruga ishte shtruar me asfalt.
Këlliçi e kishte denoncuar publikisht kryebashkiakun Erion Veliaj për këtë aferë, por më pas hetimi zbuloi se Veliaj kishte deleguar firmosjen e procedurave te Mazniku, i cili në atë kohë mbante postin e nënkryetarit të bashkisë. Për këtë arsye, Prokuroria e Tiranës e konsideroi jashtë juridiksionit të SPAK. Por situata ndryshoi kur Mazniku u emërua ministër, duke e kthyer çështjen në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.
“Sot, Prokuroria e Tiranës më ka konfirmuar faktin se zoti Mazniku është person nën hetim me akuzën për shpërdorim të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera. Kjo dosje i është kaluar për kompetencë Prokurorisë së Posaçme dhe SPAK e ka regjistruar zyrtarisht Maznikun si person nën hetim. Nëse konstaton rrugës që dalin të dhëna të tjera nga ato që ka Prokuroria, SPAK i grupon dhe vijon hetimin,” – theksoi Lala.
Ky zhvillim i ri vjen në një moment kur SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë dhe kur presioni publik për transparencë dhe drejtësi ka arritur kulme të reja. Hetimi ndaj një ministri në detyrë shënon një tjetër sinjal të qartë se Prokuroria e Posaçme po zgjeron fushën e saj të veprimit dhe se askush nuk është i paprekshëm përpara ligjit.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga ministri Mazniku apo nga Këshilli i Ministrave në lidhje me këtë çështje. Situata pritet të zhvillohet më tej në ditët në vijim, ndërsa SPAK vijon me hetimet për një nga dosjet që mund të tronditë themelet e administratës së lartë shtetërore.