
4 ditë më parë Ilirjan Celibashi në një konferencë për shtyp sqaroi mediat lidhur me kostot e procesit të rinumërimit të 2 qarqeve. Ndërkohë që numri i kutive që do hapen për rinumërim është rritur, nuk dihet ende se ç’ndodh me kostot e këtij procesi.
Në fakt qëllimi i vërtetë i konferencës pér shtyp ishte deklarimi, (përpara kamerave) që Celibashi kish në plan të shpenzonte deri në 2 milionë euro si kosto për procesin e rinumërimit. Si për të thënë se gjithshka ishte transparente dhe se ai nuk kish gjë për të fshehur. Ua tha të gjithëve që do harxhonte 2 milion euro! Si një mënyrë për t’u shfajësuar për këto ekstra shpenzime.
E gjitha kjo shkaktoi dhe konfuzion,për shkak se Celibashi nga njëra anë tha se nuk do kërkonte para shtesë dhe nga ana tjetër tha se nga procesi i votimit të diasporës kish kursyer 2 milion euro. Shumë nga ata që dëkuan këto deklarata arritën në konkluzionin që këto 2 milion euro ishin “kursime” nga pagesa që do ish dashur t’i bëhej DHL-së.
Ditët që vijuan në shtyp rrodhi edhe kushti që KQZ (Celibashi në këtë rast) i kish vënë DHL-së për shlyerjen e pagesës prej 9.3 milion Euro. Çudi si rrodhi ajo letër në fakt kur kryekomisioneri nuk i ka dhënë ende përgjigje letres së DHL-së për pasaktësitë e shifrave të zarfeve që Celibashi referonte gjatë numërimit në Wall-in e KQZ. Atë letër Celibashi mesa duket e mban fort në kasafortë.
Në këtë kakofoni milionash u ngatërruan të gjithë, përfshirë dhe përfaqësuesin e PD-së në KQZ. Ç’ka i bëri të gjithë të mendojnë se lëmshi i shkaktuar nga Celibashi është vërtet i pazgjidhshëm. Sidoqoftë ndërhyrja e Marash Logut në mbledhjen e KQZ, (KAS në këtë rast), i dha mundësi drejtoreshës se KQZ (Celibashi kësaj radhe), që të fliste dhe të gjithë kuptuan. Që ato 2 milionë euro nuk qenkëshin kursime nga shuma që duhet t’i paguhet DHL-së sipas kontratës.
Qenkëshin miliona të papërdorura nga totali që Buxheti i Shtetit i ka vënë në dispozicion KQZ-së, (Celibashit dmth), për votën e emigrantëve.
Në kushte normale ato miliona i kthehen Buxhetit të Shtetit.
Por jo! Celibashi pasi deklaron se i ka kursyer, meqë ai është nikoqir i mirë, do i përdori për rinumërimin.
Çdo njeri me logjikë normale e kupton se që rinumërimi është një farsë e stisur, që nuk do sjellë asnjë ndryshim rezultati. Por kur për këtë farsën u dashkan shpenzuar edhe 2 milion euro këtu çështja bëhet më serioze.
Për çfarë do i shpenzojë Celibashi 2 milione eurot?
Të gjitha pajisjet që mendon të instaloje tek “Farie Hoti”, janë pronë e KQZ dhe janë shumë, s’ka nevojë të blihen shtesa
Kamerat janë në pronësi të KQZ dhe janë shumë.
Ekranet janë në pronësi të KQZ dhe janë shumë.
Kodi detyron administratën e KQZ të rinumërojnë dhe administrata e KQZ është shumë.
Çfarë po tenderon Celibashi? Uniforma për stafin e KQZ? Numërimi i Dibrës u bë me stafin me rrobat e veta dhe jelekët e përdorur nga numëruesit. Edhe kamerat aty ishin, edhe ekranet.
Edhe jelekë ka shumë.
Do të tenderojë badget që do varin në qafë numëruesit? Po numëruesit janë staf e KQZ dhe badget janë pjesë e outfitit të tyre të zakonshëm në ambjentet e KQZ.
Në 350 punonjës (me kohë të plotë dhe të pjesshme), KQZ ka dhjetra persona që mund të operojnë kamerat dhe pajisjet.
Çfarë do blerë Celibashi, me 2 milionë Euro?
Këto pyetje ndoshta do ishte mirë ti bënte zoti Logu si mbrojtës i interesave të opozitës. Askush nuk pret që për to të shqetësohet Bylykbashi dhe Gjiknuri se ata po bëhen gati për ndryshimet e reja në kodin zgjedhor.
Por së paku Ilirian Celibashin dikush duhet ta pyesë: për çfarë i duhen 2 mil euro rinumërimit? E në mos media, institucionet që hetojnë për këto raste duhet së paku të interesohen e të shohin ku përfunduan 2 mil eurot e shqiptarëve? /vna.al