
Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç u vendos në qendër të akuzave nga mediat në Beograd, të cila kritikuan deklaratën e tij pas sfidës të ndarë në barazim pa gola me Shqipërinë, luajtur të shtunën në stadiumin “Air Albania”.
Mediat serbe u kapën pas fjalëve të teknikut, i cili tha se atmosfera e tifozëve në Tiranë ishte e shkëlqyer dhe i kërkuan t’i shihte në sy lojtarët e tij dhe të tërhiqej nga ajo deklaratë e bërë pas ndeshjes.
Por, “Pixie” duket aspak i shqetësuar nga vala e kritikave. Në konferencën për shtyp para sfidës që Serbia do të luajë me Andorrën, Stojkoviç i është drejtuar kritikëve duke thënë se askush nuk mund t’ia vejë në dyshim dashurinë për Serbinë.
“Nuk kam pse t’i tregoj askujt sa patriot jam – nuk bëj tifozllëk për askënd, përveç për Serbinë. Dua t’i bëj këta djem heronj, dhe kështu do të jetë sa të kem frymë”, u shpreh ai.
Në vijim, trajneri serb ripërsëriti se pritja në Tiranë dhe atmosfera ishte fenomenale, duke thënë se e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në Beograd. Stojkoviç madje e krahasoi sfidën mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Air Albania”, me sfidat mes rivalëve të betuar në Argjentinë, Boca Juniors dhe River Plate.
“Mirë që ma bëtë këtë pyetje, sepse nuk i kam ndjekur mediat prej katër ditësh. Nuk e di kush çfarë shkruan. Unë jam përqendruar vetëm në detyrën time – që t’i përgatis këta djem në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kur kam folur për atmosferën, kam folur vetëm në gjuhën e futbollit, për një ambient futbollistik. Ajo që ndodhi në fushë ishte për çdo respekt – një rivalitet i madh, një ndeshje me shumë rëndësi, dhe sjellja e të dy pankinave, si e jona, ashtu edhe e tyre, ishte për t’u vlerësuar.
Natyrisht që gjithmonë i dënoj gjërat që s’kanë lidhje me futbollin. Askush nuk i do ndërprerjet dhe tensionet – por ne nuk kemi ndikim mbi ato gjëra. Ka institucione që merren me to. Ne nuk jemi ata që ndëshkojmë.
Ju nuk ishit në stadium, e patë në televizor. Disa kolegë tuajt mund ta konfirmojnë – çdo trajner do të donte një atmosferë të tillë. Për herë të parë, dhe kjo ishte ndeshja ime e 51-të si trajner, nuk e dëgjova himnin nga vërshëllimat.
Imagjinoni çfarë shpërthimi zhurme dhe pakënaqësie ishte. Por ne e kënduam me krenari himnin tonë, dhe kjo na motivoi edhe më shumë që të mos dorëzoheshim ndaj presionit. Djemtë u sollën në mënyrë të shkëlqyer në fushë. Kjo për mua është një fitore e madhe.
A mendonte dikush seriozisht se do të na prisnin me duartrokitje? Sjellja e tyre është puna e tyre. Unë nuk jam politikan, nuk flas si politikan, jam shumë i kujdesshëm me fjalët e mia. Fola vetëm për atmosferën në stadium. Për sjelljen… ka kush merret me të.
Nuk kam pse t’i tregoj askujt sa patriot jam – nuk bëj tifozllëk për askënd, përveç për Serbinë. Dua t’i bëj këta djem heronj, dhe kështu do të jetë sa të kem frymë.
Sa i përket pjesës tjetër – organizimi ishte fenomenal. Besoj që edhe ne do t’u kthejmë një mikpritje të tillë. Le të konfirmojnë kolegët tuaj si ishte në Tiranë.