
Bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej, ka dëshmuar në seancën e sotme në GJKKO për organizimin e vrasjes së vëllezërve Haxhia.
Alibej ka treguar se për organizimin e vrasjeve, ka bashkëpunuar me Nuredin Dumanin, që tashmë është po ashtu i penduar i drejtësisë. Ai ka shpjeguar si i siguroi armët, madje edhe veshje të ngjashme me uniformat e njësisë speciale policore e quajtur OFL, Operacioni Forca e Ligjit, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
“Për vrasjen e vëllezërve Haxhia i kam dhënë Nuredinit dy kallashë dhe një pistoletë mesa kujtoj, çfarë më kërkonte, ia jepja. Armët ia dhashë bashkë me makinën, plani ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhinë, jo Viktorin. Doli shpejt në TV lajmi që e mora vesh, edhe në lajme që u gjet e braktisur Toyota, i thashë Nuredinit pse shenja gjaku në makinë, më tha kemi gjuajtur me xhama mbyllur dhe nga ciflat është lënduar në kembë ‘kusho’.”
Gjatë atentatit është vrarë Viktor Haxhia, por shenjestra ka qenë Altin Ndoci, ka thënë Alibej.
“Viktor Haxhia ka qenë rastësisht aty, në makinë ka qenë dhe Altin Ndoci, por ka zbritur rrugës, se ai ishte objektiv, ata nuk e kanë ditur që ishte Viktori në makinë, kanë menduar është Altin Ndoci. Diskutoja me Nuredinin për varrimin e vëllezërve Haxhia pasi mund ta ekzekutonin Altin Ndocin edhe ditën e varrimit, un isha pro, por nuk u arrit pasi ai nuk shkoi ne varrim.
Kam pasur dhe një mik në Kukës, Bujar Gërmizin, i thashë Nuredinit ke nevojë për disa veshje si të OFL-së. Me tha po dhe nga Bujari mora disa veshje si të OFL-së dhe ia kam dhënë Nuredinit, jelek dhe kambale, me mbishkrimin OFL, janë bërë në Kosovë veshjet, un i mora në Kukës.
Pas vrasjes së vëllezërve, mora vesh që Talo kishte qëndruar te shtëpia e Haxhiajve, kur mësova në TV që Klevis Alla po nxirrte emra. Nuredini në këtë kohë u shkëput dhe bashkë me familjen e tij rrinte në Spille te vjehrra, ai se dinte nëse po flitej për të, pasi i shkoi dhe policia në banesë, por ai kishte ikur, flisja gjithë kohës me të në Sky Ecc“.
Alibej ka rrëfyer si e vëzhgoi prej kohësh Besmir Haxhinë, të cilin e akuzon se ka marrë pjesë në tre atentate ndaj familjarëve të tij.
“Makinën ‘Toyota’ ia kam blerë Alban Qerosit, kështu i thërrasin, ky rri në Bruksel, ka qenë shok dhe ortak i Endritit në narkotrafik, makinat ishin në Shijak, kishte dy makina madje, un në Sky Ecc kam pas kodin ‘Lizz’ dhe ‘Kumi’, ndërsa në Encro Chat e kam pasur ‘Noku’.
Unë rrija në shtëpi, por vinin më takonin miq e shok, kanë ardhur edhe policë, si Leonard Palushi, Arjan Spahiu ka qenë në dijeni të planeve tona dhe më ka ndihmuar nga ana monetare, Arjani fliste dhe me “fat katnarin”, ky kishte informacion mbi personat që më goditen familjen.
Foton e Besmir Haxhisë e kam nxjerr nga sistemi TIMS, kisha investiguar për të se ai kishte marrë pjesë në 3 atentate ndaj familjarëve të mi, emrin e tij nuk e mbaj mend ma ka thënë Nuredini apo e kisha mësuar më parë, mesa di lekët për vrasjen i ka ndarë Nuredini, më tha që i ka dhënë nga 35 mijë euro secilit“.