
Në zemër të Porto Romanos, një zonë e populluar me familje, shkolla dhe qendra shëndetësore, banorët jetojnë çdo ditë nën hijen e frikës nga një fabrikë gazi që funksionon pa distancat mbrojtëse të detyrueshme dhe pa masat bazë të sigurisë. Kompania “Alba Cosmetic”, që menaxhon fabrikën e gazit, ka zgjeruar aktivitetin e saj në mënyrë të vazhdueshme, duke shkelur hapësirat publike dhe duke u afruar deri në kufijtë e oborreve të shtëpive dhe institucionit arsimor, duke kthyer sigurinë në një iluzion për komunitetin lokal.
Më 18 qershor 2022, një zjarr i madh në fabrikën e gazit tronditi zonën. Banorët u detyruan të braktisnin shtëpitë, ndërsa fëmijët e shkollës “Met Hasa” u evakuuan. Katër muaj më vonë, më 26 tetor 2022, një rrjedhje gazi ndodhi sërish, duke rikthyer panikun. Shkolla ndërpreu mësimin, banorët ikën për të dytën herë – por autoritetet, në vend të reagimit, ofruan vetëm heshtje.
“Jetojmë me frikë. E dimë që diçka do të ndodhë, por nuk dimë kur,” – thotë një banor i zonës. Ndërsa Enea, një nxënës i shkollës fillore, kujton momentet e tmerrit: “Pamë tym dhe fishkëllimë, më digjnin sytë, u tremba shumë.”
Fabrika nisi aktivitetin në vitin 2011 me kompaninë “Gas Power Al”, themeluar nga Altin Mulla. Vetëm një vit më vonë, kompania kaloi në pronësi të Alban Rushitit për një shumë simbolike. Në vitin 2017, qeveria e dha me qira me 1 euro truallin shtetëror për kompaninë “Alba Cosmetic”, të regjistruar nga Adi Mehmeti, vetëm 21 vjeç në atë kohë. Me kalimin e viteve, kompania është zgjeruar duke zhdukur hapësirat e mbrojtjes dhe duke përfituar në mënyrë të dyshimtë rreth 2 hektarë tokë publike që sipas planeve territoriale ishin destinuar për shërbime sociale, kulturore apo rekreative. Në një rast, kompania mbuloi kolektorin e ujërave të zeza për të fituar mbi 1,000 m² truall ku më pas ndërtoi depozitat e gazit.
Struktura e kompanisë ngre pikëpyetje të mëdha. Dy nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të “Alba Cosmetic” janë po ata që kanë qenë më parë në drejtimin e “Gas Power Al”, ndërsa të dyja firmat kanë të njëjtat adresa, numra kontakti dhe prezantohen si partnere në faqe zyrtare. “Gas Power Al” rezulton sot me 30 mijë euro detyrime tatimore, pa administrator dhe pa aktivitet të dokumentuar që nga viti 2018.
Pas incidentit të vitit 2022, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) identifikoi pesë shkelje të rënda ligjore, duke përfshirë mungesën e certifikatave të sigurisë dhe sigurimeve të detyrueshme. Por, pavarësisht gjetjeve, nuk u mor asnjë masë ndëshkuese. Madje, në një përgjigje për Citizens.al, ISHTI deklaroi se “në 5 vitet e fundit nuk ka pasur incidente”, në kundërshtim me faktet publike.
Eksperti i sigurisë zjarrfikëse, Fatmir Taraj, paralajmëron: “Pajisjet mund të jenë aty, por pa staf të trajnuar ato janë vetëm dekor.”
Ligji i detyron kompanitë që operojnë me rrezikshmëri të lartë të informojnë komunitetin lokal, të zhvillojnë dëgjesa publike dhe transparencë. Por, në pesë vitet e fundit nuk është zhvilluar asnjë takim konsultativ me banorët. Shteti nuk ka marrë asnjë masë për zhvendosjen e fabrikës, përkundrazi, ka lejuar zgjerimin e saj, duke shkelur hapur të drejtën për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.
Në Porto Romano, rreziku nuk është imagjinar. Është real, i prekshëm dhe i përditshëm. Ai buron nga një fabrikë që ushtron aktivitet të rrezikshëm pa masa sigurie, nga një shtet që preferon të heshtë, dhe nga institucione që mohojnë edhe atë që vetë kanë shkruar. Ndërkohë, fëmijët ndalojnë mësimin, familjet largohen nga shtëpitë dhe qytetarët presin shpërthimin e radhës.
Në një vend ku mbrojtja e jetës është zëvendësuar nga heshtja zyrtare, Porto Romano është dëshmia më e qartë se siguria publike në Shqipëri është bërë çështje fati, jo ligji. /citizens