
Skenarë të tjerë po hetohen rreth plagosjes së Fatos Cenajt, 59-vjeçarit shqiptar, i cili në Shqipëri kishte kryer për shumë vite detyrën e efektivit të Policisë së Shtetit. Pas plagosjes së tij, hipoteza e një të shtëne të pavullnetshme nga një pushkë e ndonjë banori të zonës me qëllim testimin e një arme të re, është hedhur poshtë. Tashmë po dyshohet se 59-vjeçarit i është ngritur pritë. Por nga kush?
Zona ku ai u qëllua është në mes të fshatit. Në fakt, një vend ideal për të goditur dhe për t’u arratisur pa u vënë re nga askush. E vetmja gjë që dihet se është një makinë iu afrua 59-vjeçarit nga pas ndërsa ai po ngiste biçikletën e tij për të shkuar në punë në një fermë aty pranë, rreth dy kilometra larg shtëpisë. Nga dritarja, një vrasës me pagesë mund ta ketë qëlluar nga afër duke e rrëzuar në tokë.
Mediat italiane shkruajnë se ka dyshime që Fatos Cenaj gjatë karrierës së tij në Shqipëri, mund të ketë shkelur diku “në kallo” dhe tashmë pala tjetër ka gjetur mundësinë për t’u hakmarrë. Por personin që ka qëlluar e ka parë vetëm Cenaj, i cili nuk dihet nëse do të mbijetojë.
Sipas mjekëve, gjendja e tij është kritike.
Të tjerë që e njohin atë dhe familja e tij përjashtojnë mosmarrëveshje të mëparshme. Por edhe në Itali ka bërë një jetë të qetë dhe nuk kishte armiq.
Autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarë për të zbardhur sa më shpejt këtë ngjarje misterioze. Për më shumë detaje, po kontrollojnë edhe të gjitha qelizat telefonike në zonë për të zbuluar nëse mund të gjejnë atë të vrasësit./korrieri