
Një lokal në rrugën “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, që mbante logon “CR7”, është goditur nga Policia e Shtetit si një qendër aktive e lojërave të fatit të paligjshme. Lokalet me këtë logo janë ndër më të përfolurit kohët e fundit në media dhe rrjete sociale, ku së bashku me ambientin e njohur “333”, është denoncuar publikisht si pjesë e rrjetit informal të basteve që operojnë në kundërshtim me ligjin.
Operacioni policor i koduar “Rezultati”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, çoi në arrestimin e tre personave: administratorit të lokalit dhe dy të rinjve të kapur në flagrancë duke luajtur me makineta dhe celularë të përshtatur për baste sportive dhe lojëra fati.
Të arrestuarit janë shtetasit M. D., 21 vjeç (administrator i ambientit), A. Z., 24 vjeç dhe Xh. Gj., 21 vjeç. Nga kontrollet në ambient u sekuestruan 5 makineta elektronike, 4 celularë dhe një shumë prej 50 000 lekësh.
Sipas Policisë, ambienti ishte përshtatur posaçërisht për aktivitet të jashtëligjshëm dhe u zbulua falë informacioneve të mbledhura në rrugë operative. Ky lokal, së bashku me të tjera pika të ngjashme në kryeqytet, kishte qenë objekt i denoncimeve të vazhdueshme publike për rikthimin në heshtje të lojërave të fatit, pavarësisht ndalimit me ligj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet për rrjetin e subjekteve të dyshuara për organizim të paligjshëm të lojërave të fatit vijojnë.