
Zbulimi i trupit të Adriana Suazo-s në një zonë të pyllëzuar në Milton, Massachusetts, ka rritur shqetësimet në të gjithë Anglinë e Re (New England) në lidhje me numrin e vdekjeve të pashpjegueshme në këtë zonë në muajt e fundit. Kufoma e Suazos, 21 vjeçe nga Bostoni, u gjet nga një kalimtar të dielën, më 1 qershor. Sipas prokurorit të çështjes, trupi i saj nuk kishte shenja të dukshme traume dhe shkaku i vdekjes po hetohet nga Zyra e Mjekut Ligjor.
Vdekja e Suazos është më e fundit në një seri rastesh shqetësuese.
Që nga marsi i vitit 2025, të paktën 13 trupa janë gjetur në të gjithë Massachusetts, Connecticut, Rhode Island dhe Maine, shumë prej tyre në zona të largëta ose të pyllëzuara. Ndërsa departamentet lokale të policisë dhe prokurorët e distriktit vazhdojnë të hetojnë çdo rast individualisht, vëllimi i madh dhe afërsia kohore kanë çuar në spekulime se kemi të bëjmë me një vrasës serial. Por vetëm publiku mendon kështu!
Agjencitë ligjzbatuese kanë kundërshtuar idenë e një autori të vetëm, duke përmendur mungesën e lidhjeve mjeko-ligjore në secilin rast.
RASTET E TJERA:
Më 6 mars, 35-vjeçarja Paige Fannon u gjet e vdekur në lumin Norwalk në Connecticut. Më vonë atë muaj, më 19 mars, trupi i copëtuar i 58-vjeçares Suzanne Wormser u gjet në një valixhe në Groton, Connecticut. Shoqja e saj e dhomës u arrestua, por vdiq pak më vonë në paraburgim. Denise Leary, 59 vjeç, u gjet e vdekur në New Haven më 25 mars, e ndjekur një ditë më vonë nga 56-vjeçarja Michele Romano, kufoma e të cilës u gjet në pyllin e Foster, Rhode Island.
“Trendi” vazhdoi edhe në prill!
Më 9 prill, një kufomë e paidentifikuar u gjet në Killingly, Connecticut. Më 20 prill, një trup u nxor nga lumi Seekonk në Pawtucket, Rhode Island, i ndjekur nga një trup tjetër i gjetur në lumin Connecticut pranë Rocky Hill më 27 prill. Po atë ditë, një trup tjetër u zbulua në Taunton të Massachusetts. Më 22 prill, trupi i 45-vjeçares Meggan Meredith u gjet pranë një shtegu biçikletash në Springfield të Massachusetts.
Ndërsa më 30 maj, 34-vjeçarja Jasmine Wilkes u gjet e vdekur në Edgewood Park në New Haven. Rasti u ndoq nga Adriana Suazo. Të jetë e gjitha një rastësi? /korrieri