
Erion Alibej vijoi rrëfimin e tij përpara gjykatës në kuadër të hetimit gjyqësor të dosjes “Plumbi i Artë”, ku ai ka pranuar të jetë bashkëpunëtor i drejtësisë.
Alibej foli për masakrën e Bradasheshit që i mori jetën të vëllait dhe familjarëve të tjerë, duke zbuluar edhe përfshirjen e tij në hetime të pavarura, hakmarrje të organizuar dhe lidhje me rrjete kriminale.
Dosja me emrin e koduar “Plumbi i Artë”, që u dërgua për gjykim më 15 maj 2025 nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), përfshin 11 të pandehur të akuzuar për një seri krimesh: vrasje me paramendim, tentativa për vrasje, atentate me eksploziv, grabitje të armatosura dhe trafik ndërkombëtar kokaine. Ky operacion i gjerë hetimor u ndërtua mbi bazën e bashkëpunimit të dy dëshmitarëve kryesorë, Erion Alibej dhe Nuredin Dumanin, të cilët zbërthyen strukturën dhe funksionimin e brendshëm të grupeve kriminale në vend.
Alibej tregoi se krimi kishte depërtuar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe radhët e policisë dhe zyrave të drejtësisë. Ai i deklaroi togave të zeza se kishte humbur besimin tek institucionet dhe kishte marrë rolin e hetuesit ku përmes kontakteve të tij, kishte arritur të siguronte informacion nga sistemi TIMS dhe survejime me kamera të vendosura në qytet.
Në kërkim të vrasësve
Pas masakrës së përgjakshme në Bradashesh, më 29 dhjetor 2018, ku mbeti i vrarë vëllai i tij Endrit Alibej, xhaxhai Arben Dylgjeri dhe një mik turk, Erion Alibej vendosi të mos priste më drejtësinë.
Ai mori vetë rolin e hetuesit dhe prokurorit, duke ndjekur hapat e autorëve të dyshuar dhe duke mbledhur çdo informacion që mund të gjente.
“Po grumbulloja shumë informacion. Jo se po harroja Suel Çelën. Ai kujtonte se më kishte lënë në gjumë, por unë nuk kam fjetur asnjëherë të vetme,” deklaroi Alibeaj duke shtuar se aso kohe për shkak se hetimet e gjetjes së autorëve po zvarriteshin ai kishte humbur besimin ndaj organeve të drejtësisë në Elbasan.
Për këtë arsye Alibej i tregoi togave të zeza se ai ndërtoi vetë një rrjet informativ për gjetjen e autorëve të vrasjes së vëllait dhe vendosjes së drejtësisë nëpërmjet vetëgjyqësisë.
“E kam bërë vetë hetuesin, prokurorin, gjyqtarin. I kam vënë në dispozicion drejtësisë të gjitha informacionet e mia” – u shpreh Alibeaj i cili rrëfeu se kishte krijuar një rrjet të gjerë përgjues dhe vëzhgues, madje edhe duke përdorur sistemin TIMS me ndihmën e një polici.
“Kisha akses në TIMS përmes policit Leonard Allkja. I kisha me foto dhe gjithë hyrje-daljet e tyre. Të gjithë, nga Çapjat, te Qosja e Dumani, – tha Alibej.”
Për të mbledhur të dhëna në terren, Alibej nuk ngurroi të lëvizte vetë si një hetues i pavarur, qoftë kjo e ndikuar nga fakti se të paktën njëherë 6 muaj, një pjesëtar i familjes i vritej.
“Kisha dalë për hetime vetë, me motor, si shpërndarës picash.” – tregoi Alibeaj i cili aso kohe kishte instaluar kamera në pjesë të qytetit dhe përmes tyre kishte identifikuar mjete dhe banesa të lidhura me autorët që ai dyshonte se ishin ekzekutorët e familjarëve të tij.
“Identifikova fordin tek shtëpia e Rigers Runajt, ndërsa Benzin tek Emiliano Ramazani. Nga kamerat pashë që benzi kishte dalë nga shtëpia e Mikel Kamamit.” – tha Alibej i cili bashkëpuntorë të ngushtë në gjetjen e autorëve kishte Ardian Çollakun dhe ky i vrarë pas atentatit të kryer më 4 Tetor 2021 në Elbasan.
“Informatorin tim më të besuar e kisha Ardian Çollakun … Ai kishte kontakte me kundërshtarët e mi … Në një moment, Ardiani e pyeti Mikael Qosen se përse kishte nisur kjo luftë. Ai u përgjigj se Indriti ishte shumë i tmerrshëm” tha Alibej duke pranuar se Çollakun e kisha pajisur me telefon Encro-Chat dhe e kishte mbajtur me para pas daljes së tij nga burgu.
Në rrëfimin e tij përpara gjykatës, Alibej tregoi se kishte financuar Nuredin Dumanin për ekzekutimin e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias, të ekzekutuar më 2 mars 2020.
Sipas dëshmisë së Alibejt, Dorian Shkoza ishte njeriu më i afërt me Talo Çelën prandaj ishte shumë e rëndësishme që të ekzekutohej.
“I dhashë 50 mijë euro Nuredinit dhe një celular të enkriptuar. Lekët ishin nga trafiku i drogës,” pranoi ai, duke shtuar se e kishte punësuar Dumanin përmes kontakteve të pakta që i kishin mbetur.
Lajmin për vrasjen e tij ia dha i penduari tjetër i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Një natë më shkruajti Nuredini. Mbaroi i pari. Shiko TV.” Pashë lajmet, ishte vrarë Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Këtë të dytin nuk e kisha dëgjuar më parë. I thashë Nuredinit – po ky pse? Më tha – Hajde, se dhe ky i atyre është.” tregoi Alibej sipas të cilit autor përveç Nuredin Dumanit në në këtë vrasje ka marrë pjesë edhe Eljo Bitri, i cili më pas ka djegur automjetin e përdorur.
Qëllimi i vetëm i Alibejt ishte eliminimi i Talo Çelës, që ai e quante objektivin kryesor. “Unë kërkoja vetëm Talo Çelën me çdo kusht, o të gjallë, o të vdekur.” – rrefeu Alibeaj.
Për furnizimin me armë, ai tregoi se porositë bëheshin përmes Dumanit dhe shpërndaheshin përmes një hoxhe në zonën e Freskut në Tiranë. Dërguesi i armës për vrasjen në Durrës ishte, sipas tij, Arsen Preçi. “Arsen Preçi nuk ishte në dijeni për çfarë do bëhej,” shtoi Alibej.
Kthimi në Shqipëri

Në dëshminë e tij, Alibej rrëfeu edhe kthimin e tij të fshehtë në Shqipëri, pasi ishte strehuar në Roterdam.
“Vendosa të mos qëndroja më në Roterdam dhe u ktheva në Shqipëri. Hyra ilegalisht nga Qafë-Bota, pasi isha në kërkim.” – tregoi Alibeaj i cili ende nuk kishte hequr dorë nga kërkimet për zbulimin e autorëve të vrasjes së vëllait të tij.
Me tu rikthyer ai, tha takoi Genc Tafilin dhe Dorian Dulin, të cilët erdhën të armatosur në apartamentin e tij.
“Genci më tregoi se Talo Çela kishte kërkuar takim me Dorianin, së bashku me dy persona nga Mirdita. Më pas kontaktova Suel Çelën, sepse kur përmendej Kamer Mehja, thuhej se ishte i afërm i tij. Sueli më tha se Kameri nuk vinte, sepse ‘afër janë katundarët’, duke iu referuar Çapjave. Por më propozoi që takimi të bëhej te tregu. Nuk doja të refuzoja që të mos dukesha i frikësuar, ndaj vendosa të shkoja” – rrëfeu dëshmitari i drejtësisë.
Në një tjetër takim me Kamer Mehjen dhe Mario Çelën, kërkoi sqarime për fishekzjarrët e hedhur në ditën kur u vranë familjarët e tij.
“I thashë Kamerit se ishte e panevojshme të hidheshin fishekzjarrë ditën kur u vranë familjarët e mi. Ai më tha se nuk e njihte fare vëllain tim, Endritin.” Megjithatë, Alibej shprehu dyshime mbi vërtetësinë e atij sqarimi, pasi informacionet për një plan për ta vrarë vinin nga burgu.
Në fund të dëshmisë, ai tregoi për një bisedë që kishte ndodhur në burgun e Peqinit dhe më pas në Fushë-Krujë, ku ishte diskutuar edhe vlera që duhej për vrasjen e tij.
Alibeja i tha togave të zeza se si autorë të këtij plani kishte identifikuar Mikael Qosen, Talo Çelën dhe Altin Ndocin.
“Një djalë që ndodhej në burgun e Peqinit, me emrin Ervis Nano – por që e njihja si Ermali – kishte shkuar në Fushë-Krujë ku kishte takuar Florenc Meçen, të njohur si Coli nga Shkodra. Coli i kishte rrëfyer se kishte qenë në burg me Altin Ndocin dhe se së fundmi kishte takuar edhe vëllain e Dorian Dulit. Sipas tij, pas atij takimi, ata kishin qenë të gëzuar”- tregoi Alibeaj sipas të cilit në atë takim kishin marrë pjesë Talo Çela, Mikael Kamami dhe Altin Ndoci.
“Pikërisht aty ishte diskutuar edhe një shumë parash për eliminimin tim. Vendose vetë shifrën, sa do që të vrasësh Erionin, ishte fjalia që më konfirmoi planin për vrasjen time” – tha Alibeaj duke shtuar se gjatë asaj kohe Dorian Duli e ftonte shpesh të dilte nga banesa, me arsyen për tu qetësuar.
“Atëherë e kuptova që qëllimi i vërtetë ishte të më nxirrnin nga shtëpia dhe të më çonin në pritë” – tregoi më tej Alibej para gjykatës.
Në Gjykatën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), vijon hetimi gjyqësor me dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej, në kuadër të çështjes “Plumbi i Artë” ku më 15 maj 2025, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur kërkesën për gjykim ndaj 11 personave të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në disa vepra penale të rënda, përfshirë “vrasje me paramendim”, “tentativë për vrasje”, “shpërthim me eksploziv” dhe “vjedhje me dhunë”. Kjo kërkesë është rezultat i hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 75/7 të vitit 2022, i njohur ndryshe si dosja “Plumbi i Artë”.
Në bazë të komunikimeve të koduara SKY/ECC, të zbërthyera në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet e drejtësisë në Francë, Belgjikë, Holandë dhe Ekuador, SPAK thotë se grupi i udhëhequr nga Çela kishte krijuar një rrjet të gjerë kriminal që vepronte në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dhunë, vrasje dhe korrupsion. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar masa sigurie për 21 persona, nga të cilët 18 janë lënë në arrest me burg, ndërsa tre të tjerë janë ndaluar me masa më të lehta.
Sipas SPAK, organizata e Çelës kishte si objektiv eliminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër kriminal rival në Elbasan, ndërkohë që aktiviteti i paligjshëm i saj financohej nga trafiku i kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda. /shteg