
Një 45-vjeçar me shtetësi izraelite është ndaluar në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit pasi tentoi të dilte nga Shqipëria me një shumë të konsiderueshme parash të padeklaruara.
Gjatë kontrollit të imtësishëm në vijën e dytë nga Policia Kufitare dhe shërbimet doganore, shtetasit V. Y. iu gjetën 194 mijë euro, të cilat nuk ishin deklaruar sipas kërkesave ligjore për kalimin e kufirit me para në dorë.
Policia njoftoi se kundër shtetasit izraelit është nisur procedim penal në gjendje të lirë për veprën penale të mosdeklarimit të të hollave në kufi, ndërsa shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Rasti vjen në kuadër të kontrolleve të shtuara nga Policia Kufitare e Rinasit për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare dhe financiare. Materialet janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore./korrieri