
Burgut dhe kampit të Spaçit, një prej simboleve më të errëta të diktaturës komuniste në Shqipëri, po i bëhet një ndërhyrje që ka shkaktuar reagime të forta publike. Fotot dhe videot e shpërndara së fundmi tregojnë godina të lyera dhe suvatuara, si pjesë e një ndërhyrjeje që më shumë duket si përpjekje për të “mbuluar” historinë, sesa për ta dokumentuar dhe ruajtur atë.

Godinat ku janë torturuar dhe punuar mijëra të burgosur politikë po transformohen në mënyrë të papërgjegjshme, sipas dëshmitarëve dhe ish-të burgosurve. Ata kanë denoncuar publikisht se ndërhyrja në Spaç nuk respekton simbolikën dhe vuajtjen që përfaqësojnë këto mure, duke theksuar se “makijazhi” nuk mund të fshijë krimet që kanë ndodhur aty.
Sipas dokumenteve të publikuara në media, punimet janë kryer nga kompania “MARTINI KONSTRUKSION & REAL ESTATE” sh.p.k., në pronësi të Benard Martini, ish-kandidat për deputet i Partisë Social Demokrate në vitin 2021. Tenderi, me objekt “ndërhyrje konservuese-restauruese në Burgun e Spaçit”, është shpallur fitues në prill 2024 me një fond prej rreth 130 mijë eurosh.

Firma në fjalë nuk rezulton të ketë përvojë në restaurime të trashëgimisë kulturore dhe sipas të dhënave të publikuara nga vetë Martini në KQZ, ai ka qenë i proceduar penalisht në disa raste për akuza që përfshijnë ndërtim të paligjshëm, shkatërrim prone dhe vjedhje.
Ndërhyrja në një objekt me vlerë kaq të madhe historike do të duhej të kryhej nga kompani të certifikuara për restaurime të trashëgimisë dhe me një projekt të mirëfilltë profesional. Por në këtë rast, duket se Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i ka besuar një firme të panjohur dhe të lidhur me politikën një prej plagëve më të mëdha të kujtesës historike të vendit.
Për momentin, nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet për mënyrën e përzgjedhjes së firmës dhe standardet e ndjekura për ndërhyrjen në Spaç. Por ngjarja ka rikthyer në qendër të debatit publik çështjen e menaxhimit të vendeve të kujtesës dhe mungesën e transparencës në tenderët për trashëgiminë kulturore.