
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zbardhur një prej motiveve kryesore të vrasjes së Liridona Ademajt, ku si organizator kryesor akuzohet bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Sipas prokurores Javorka Perlinçeviq, Murseli ka urdhëruar eliminimin e bashkëshortes për të përfituar nga një polisë sigurimi jetësor në vlerë prej 260 mijë euro që ajo kishte në Suedi.
“Prokuroria ka propozuar si provë materiale raportin zyrtar të marrë nga autoritetet suedeze, i cili konfirmon se në emër të të ndjerës ishte paguar një sigurim jetësor në shumën e 3 milionë krunave suedeze, që përkthehet në 260 mijë euro,” deklaroi prokurorja gjatë seancës.
Më 15 janar 2025, Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt. Sipas aktakuzës, Plava dhe Kokalla janë përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes me pagesë, ku sipas marrëveshjes, Murseli do t’i jepte Plavës 30 mijë euro në këmbim të krimit.
Për këtë ngjarje të rëndë, avokatja e Murselit, Teuta Zhinopotoku, ka kërkuar që klienti i saj të dërgohet për ekzaminim mendor, por thekson se nuk ka marrë ende një përgjigje nga gjykata. “Ky proces kërkon maturi, dëshmi dhe paanshmëri. Presim që grupi i ekspertëve të QKUK-së dhe Institutit të Forenzikës të japin një konstatim mbi gjendjen mendore të të pandehurit,” tha ajo.
Në seancën e fundit, vetë Naim Murseli është deklaruar i pafajshëm dhe ka theksuar: “Nëse pretendimet e prokurorisë në aktakuzë vërtetohen, atëherë unë vet do të kërkoj dënim me burgim të përjetshëm.”
Deklaratë të ngjashme ka dhënë edhe i akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla, ndërsa Granit Plava ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.