
Pas rasteve të raportuara në zonën e Postribës në Shkodër, fenomeni i ngordhjes së bagëtive të imta po përhapet edhe në fshatin Trush. Fermerët shprehen të shqetësuar se po përballen me një situatë të paqartë, pasi nuk kanë informacion mbi përhapjen e këtij virusi që po çon drejt ngordhjes masive të kafshëve.
“Na kanë thënë se vjen nga virusi ashtu si prek njerëzit, por askush nuk ka ardhur të bëjë analiza. Shko bli gjilpërat 10 mijë lek 5 mijë lekë, kemi marr veterinerin, s’dimë ku të shkojmë,“-shprehet një fermer.
Ai u ka bërë apel institucioneve për të hetuar rastet, për të izoluar sëmundjen, dhe për të mos lejuar tregtimin në tregje. Ndërkohë vetëm një ditë më parë, një fermë bagëtish në fshatin Domen, Shkodër, është vendosur në karantinë nga Shërbimi Veterinar pas shfaqjes së simptomave të një sëmundjeje të dyshuar virale, shumë ngjitëse, te bagëtitë e imta.
Pas verifikimit të gjendjes në terren, është konstatuar se disa prej bagëtive paraqesin simptoma të një sëmundjeje infektive, por për të përcaktuar me saktësi llojin e virusit, janë marrë mostra gjaku të cilat do të dërgohen për analizë në laboratorin veterinar në kryeqytet dhe rezultatet mund të dalin pas 48 orësh. Por ende nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet në lidhje me sëmundjen që po prek kafshësh dhe shkakun e saj. /korrieri