
Një skandal mjekësor ka shqetësuar Belgjikën! 52 fëmijë u ngjizën në Belgjikë midis viteve 2008 dhe 2017 duke përdorur spermë nga i njëjti dhurues, i cili mbante një gjen që mund të shkaktojë kancer. Media “Le Soir” zbuloi se një dhurues danez që mbante një mutacion të rrallë të lidhur me një rrezik të lartë të kancerit u përdor në ngjizjen dhe lindjen e 67 fëmijëve në Evropë.
Nga 67 fëmijët, 52 u ngjizën përmes riprodhimit të asistuar në Belgjikë. Çdo fëmijë ka një rrezik prej 50% për të trashëguar gjenin e donatorit dhe për rrjedhojë sëmundjen. Deir më tani, 10 fëmijë janë diagnostifikuar me kancer, leuçemi dhe limfoma.
“Është një traumë e dyfishtë: nga njëra anë, shqetësimi për një rrezik të vërtetë gjenetik, nga ana tjetër, zbulimi se fëmija i tyre erdhi nga një donator që është përdorur shumë herë,”- tha Ministri i Shëndetësisë.
Alarmi i parë u ngrit në prill të vitit 2020, kur donatori “X” u përjashtua përkohësisht për herë të parë nga Banka Evropiane e Spermës (ESB) pasi një fëmijë i lindur prej tij u diagnostikua me kancer. ESB informoi qendrat e fertilitetit, megjithatë, pasi analizoi një mostër të spermës në fjalë për të zbuluar nëse kishte lidhje me mutacionin, doli në përfundimin se dyshimet ishin të gabuara dhe donatori u ripranuar në “Bankë”.
Në tetor 2023, ESB u dërgoi një letër të gjitha qendrave të fertilitetit për t’i informuar se një analizë e re ishte duke u zhvilluar dhe se donatori ishte skualifikuar përgjithmonë. Sipas bankës evropiane të spermës, donatori ishte në gjendje të mirë shëndetësore, nuk kishte histori familjare të kancerit dhe iu nënshtrua analizave në përputhje me udhëzimet aktuale mjekësore dhe ligjore. Megjithatë, në atë kohë, testimi për këtë mutacion specifik gjenetik as nuk ishte marrë në konsideratë, pasi nuk dihej nëse ishte i lidhur me sindromën që po hetohet sot. Mutacioni i gjenit TP53 shkakton sindromën Li-Fraumeni (LFS), një sëmundje e trashëguar që predispozon zhvillimin e kancereve.
Sipas “Soir”, rasti nxjerr në pah të metat në sistemin e mbikëqyrjes në Belgjikë. Që nga viti 2007, ligji përcakton që deri në gjashtë gra (pavarësisht nga shtetësia dhe vendbanimi i tyre) mund të marrin material nga i njëjti dhurues. Ligji kërkon që qendrat belge të verifikojnë që bankat e spermës të mos e tejkalojnë këtë limit. Por ky kufi është injoruar prej kohësh për shkak të mungesës së mjeteve të monitorimit.
Vërehet se në Francë, limiti është vendosur në 10 lindje për dhurues, në Mbretërinë e Bashkuar në 12 dhe në Gjermani dhe Danimarkë në 15. Megjithatë, banka evropiane e spermës aplikoi një limit shumë më të lartë: 75 fëmijë për dhurues. /korrieri