
Dosje sekrete të inteligjencës të zbuluara nga BBC-ja konfirmojnë për herë të parë se gazetari amerikan i zhdukur, Austin Tice, ishte burgosur nga regjimi i presidentit tashmë të përmbysur sirian Bashar al-Assad.
Ish-zyrtarë sirianë gjithashtu e kanë konfirmuar ndalimin e zotit Tice për BBC-në.
Qeveria amerikane kishte deklaruar më parë se besonte që ai ishte mbajtur nga qeveria siriane, por regjimi i Assad-it e kishte mohuar vazhdimisht këtë dhe nuk dihej asnjë detaj për vendndodhjen apo fatin e tij.
Dosjet e inteligjencës – së bashku me dëshmi nga disa ish-zyrtarë të regjimit – zbulojnë tani se çfarë ndodhi me gazetarin pas rrëmbimit të tij.
Austin Tice u zhduk pranë kryeqytetit sirian, Damask, në gusht të vitit 2012, vetëm disa ditë pas ditëlindjes së tij të 31-të. Ai punonte si gazetar i pavarur.
Rreth shtatë javë më vonë, një video e postuar në internet e tregonte atë me sy të lidhur dhe duart të lidhura, duke u detyruar nga një grup burrash të armatosur të recitonte deklaratën islame të besimit.
Megjithatë, përshtypja e dhënë – se zoti Tice ishte rrëmbyer nga një grup xhihadist – u vu menjëherë në pikëpyetje nga analistë dhe zyrtarë amerikanë, të cilët thanë se skena “mund të ishte inskenuar”.
Asnjë grup apo qeveri nuk ka marrë përgjegjësi për zhdukjen e tij dhe ai nuk është dëgjuar më që atëherë, duke nxitur spekulime të shumta për vendndodhjen e tij.
BBC-ja zbuloi materialin si pjesë e një hetimi të vazhdueshëm që kishte nisur më shumë se një vit më parë për një seri podcast-esh të Radio 4, ndërsa shoqëronte një hetues sirian në një objekt të inteligjencës.
Dosjet e inteligjencës janë provat e para që dalin në dritë për ndalimin e zotit Tice nga regjimi sirian, që nga fillimi i përpjekjeve për ta gjetur atë pas rënies së Bashar al-Assad në dhjetor të vitit 2024.
Dosjet e etiketuar me emrin “Austin Tice” përbëhen nga komunikime të degëve të ndryshme të inteligjencës siriane. Autenticiteti i tyre është verifikuar nga BBC-ja dhe forcat ligjzbatuese.
Një komunikim, i shënuar si “sekret shtetëror”, tregon se ai ishte mbajtur në një qendër ndalimi në kryeqytetin Damask në vitin 2012.
Burime të tjera konfirmuan se kjo ndodhi në Tahouneh dhe një ish-oficer i lartë i inteligjencës siriane gjithashtu konfirmoi se zoti Tice ishte mbajtur në Damask nga një grup paramilitar.
Regjimi i përmbysur e kishte mohuar vazhdimisht njohurinë për vendndodhjen e tij; hetimi i BBC-së dëshmon se kjo ishte e pavërtetë.
Besohen të dhëna që tregojnë se Austin Tice u arrestua pranë periferisë Darayya të Damaskut dhe më pas u mbajt nga anëtarë të një force paramilitare besnike ndaj presidentit Assad, e quajtur Forcat e Mbrojtjes Kombëtare (NDF).
Një zyrtar sirian e konfirmoi për BBC-në se gazetari ishte atje deri të paktën në shkurt të vitit 2013.
Në atë kohë, ai pati probleme me stomakun dhe u trajtua nga një mjek të paktën dy herë. Analizat e gjakut thuhet se treguan që zoti Tice vuante nga një infeksion viral në atë kohë.
Një person që e kishte vizituar objektin ku ai mbahej dhe e kishte parë, i tha BBC-së se zoti Tice trajtohej më mirë se të burgosurit sirianë, por se “dukej i trishtuar dhe gëzimi i kishte ikur nga fytyra”.
Ndërkohë, një ish-anëtar i NDF-së me njohuri të afërta për ndalimin e Austin Tice i tha BBC-së se “vlera e Austin-it ishte e njohur” dhe se ai ishte një “kartë” që mund të luhej në negociatat diplomatike me SHBA-në.
Thuhet se zoti Tice kishte arritur për një kohë të shkurtër të arratisej nga burgu duke kaluar nëpër një dritare të qelisë së tij, por ishte kapur sërish më vonë. Ai gjithashtu ishte marrë në pyetje të paktën dy herë nga një oficer i inteligjencës siriane. Besohet se ngjarja ndodhi mes fundit të vitit 2012 dhe fillimit të vitit 2013.
Kur Assad u përmbys në dhjetor 2024, presidenti amerikan i atëhershëm Joe Biden tha se besonte se zoti Tice ishte ende gjallë. Dy ditë më parë, nëna e tij, Debra Tice, kishte thënë se një “burim i rëndësishëm” kishte konfirmuar se djali i saj ishte gjallë dhe “po trajtohej mirë”.
Por kur burgjet u boshatisën pas rënies së qeverisë, nuk pati asnjë shenjë të zotit Tice dhe vendndodhja e tij vazhdon të mbetet e panjohur.
Familja Tice është në dijeni për ekzistencën e këtyre dosjeve të inteligjencës të zbuluara nga BBC-ja, ashtu si edhe autoritetet amerikane dhe një grup sirian që po punon për të mbledhur informacion mbi krimet e kryera nga regjimi i Assad-it.
Austin Tice besohet të jetë një nga pengjet amerikane që ka qëndruar më gjatë në robëri. Nëna e tij, Debra, dhe babai i tij, Marc, kanë udhëhequr një fushatë të palodhur për të sjellë në vëmendje zhdukjen e djalit të tyre.
Ish-kapiten i marinsave amerikane, Austin Tice ka shërbyer si në Irak ashtu edhe në Afganistan dhe ishte student i drejtësisë në universitetin prestigjioz Georgetown në Washington DC.
Në vitin 2012, ai udhëtoi në Siri për të raportuar për luftën civile si gazetar i pavarur.