
Erion Alibej ka vijuar dëshminë për dosjen “Plumbi i artë” ditën e sotme në GJKKO, si bashkëpunëtor i SPAK në zbërthimin e një serie ngjarjesh kriminale dhe trafikut të drogës.
Ai rrëfeu edhe njohjet e hershme që në fëmijëri me Suel Çelën dhe Hajdar Çopjan, që gjithashtu edhe i vëllai i tij i ndjerë, Endriti, i kishte shumë miq, teksa zbuloi edhe konfliktet për çështje droge jashtë vendit, nga Holanda në Itali dhe më gjerë.
Alibej tregoi se Suel Çela i kishte vjedhur në Itali Hajdar Çopjas 2 kg kokainë, kurse ky i fundit i detyrohej gjysmë kg drogë borxh Arjan Spahiut.
Alibeaj dëshmoi edhe se si e ndihmoi Suel Çelën që të arratisej nga arresti shtëpiak në Itali, pas arrestimit për drogë.
Ai tha se: “Kam pasur shoqëri me Suel Çelën, Hajdar Çopjan e njihja familjarisht, Elbasani është i vogël, njihemi që fëmijë. Ne s’kemi pasur probleme apo t’i kemi hyrë në hak dikujt, vetem se na kanë pasur borxh. Endriti kishte bazë edhe në Angli, unë kisha shumë kohë pa folur dhe takuar Suel Çelën për shkak të një hatërmbetjeje në lidhje me Arjan Spahiun, për trafikun e drogës. Një ditë më tha Endriti po vjen tek shtëpia Sueli me Sokol Sanxhaktarin, unë nuk doja t’i takoja, Sueli e filloi hershëm trafikun në Itali, ku dhe u arrestua, në Itali Sueli i vodhi Hajdar Çopjas 2 kg kokainë, Sueli shoqërohej me Klodian Çopjan, që Hajdari e kishte kushëri të dytë. E ndihmova Suelin pas arrestimit, kur ishte në arrest shtëpie, shkoi Arjan Spahiu e mori, hyri nga Franca dhe e nxori, Sueli i kishte borxh Arjanit për gjysmë kile kokaine, hyra unë garant për këtë gjë që mos të ziheshin”.
Prokurori i SPAK: Na tregoni për veten.
Erion Alibej: Babai mua më ka lënë të vogël. Kemi qenë familje e respektuar në qytet. Vëllai fillimisht emigroi në Greqi, më vonë në Itali. Gjatë kësaj kohe ai është marrë me veprimtari të jashtëligjshme, trafik droge. Unë jam kujdesur për nënën dhe nuk jam përfshirë.
Nga 2006-2010 vëllai është marrë me trafik. Në 2010 emigroi në Holandë dhe derisa ndërroi jetë ishte me dokumente holandeze. Në vijimësi, vëllai, Endrit Dylgjeri (Alibej) është marrë me trafik droge.
Në 2010 unë shkova në Itali të merrja disa ilaçe për nënën. Vëllai kërkohej nga policia italiane. Ditën e fundit që do kthehesha, më arrestoi policia. U bë një proces dhe u dënova 3 vjet e 4 muaj sikur isha pjesëtar i grupit, edhe pse nuk isha. Në 2012 u lirova. Endriti më dërgoi një vajzë, që më mori me makinë dhe shkuam në Roterdam, Holandë.
Ditën që i shkova në shtëpi, aty gjeta edhe Hajdar Çopjen. E njihnim si elbasanlli. I them Endritit, po ky. Sa ka ardhur, më tha, do e ndihmoj sa të gjejë një shtëpi.
Endriti kishte shumë njohje e lidhje në Holandë për trafikun e drogës. Të gjithë donin të punonin me të. Ai punonte me Anglinë, me Italinë, me Belgjikën. Të gjithë ia kishin nevojën.
Endriti ishte 2 vjet më i madh se unë. Neve na la xhaxhai një biznes. Në moshën 16-vjeçare vëllai nisi emigrimin. Asnjëherë nuk ka punuar në punë të ligjshme.
Prokurori i SPAK: Cilat ishin njohjet tuaja të përbashkëta në Shqipëri?
Erion Alibej: Unë, njohje në Elbasan, që jemi rritur, ka qenë Suel Çela. Edhe vëllai kishte shumë, mes të cilëve Hajdar Çopjen. I njihnim familjarisht. Franc Çopja ka qenë fëmijë atëherë.
Prokurori i SPAK: Çfarë ndodhi më vonë?
Erion Alibej: Endriti ishte një nga ata që kishte njohjet për shpërndarje të brendshme. Kjo pasi linjat e drogës, perveç futjes në BE, ju duhej pikë e fortë për shpërndarjen.
Në periudhën që shkova në Holandë, pashë që Endriti, për ngarkesat në Angli kishte probleme. I ishin kapur disa ngarkesa dhe kishte disa borxhe. Tek baza në Angli kishte probleme. I propozova të shkoja unë në Angli, por nuk pranoi. Unë u ktheva në Shqipëri.
Para se të kthehesha pata një hatërmbetje me Suel Çelën. Kjo edhe për shkak të Arjan Spahiut.
Njëherë më thotë Endriti se po vjen tek shtëpia Sokol Sanxhaktari, Sueli dhe një person tjetër. I thashë, po pse, pasi edhe Sueli kishte pasur një problem me Endritin në Holandë.
Unë i kisha thënë Suelit të mos përplasej me Arjanin. Suelin e quanin minoreni, pasi e ka nisur trafikun e drogës në Itali kur ishte minoren. U arrestua në Itali në 2006 ose 2007.
Unë kam qenë i afërt me familjen Çela. Më konsideronin si djalë të shtëpisë. Në atë periudhë Klodian Çopja dhe Suel Çela kishin identifikuar bazën e Hajdar Çopjes dhe i vjedhin 2 kg kokainë.
Nga kjo periudhë Hajdar Çopja u prish me Klodianin, që e kishte kushëri të dytë.
Ndërkohë që Suel Çela ishte në arrest shtëpie, më kërkoi mua që Arjan Spahiu ta ndihmonte për të ikur nga arresti i shtëpisë. Arjani iku nga Spanja dhe e mori në Itali. Më vonë e ndihmoi, por u grindën për një borxh të Suelit për gjysmë kg drogë.
Që atëherë, kur u përleshën me duar, unë vendosa të mos i flisja asnjërit prej tyre. Gjatë periudhës që nuk i flisja, Sueli me erdhi tek shtëpia me Sokol Sanxhaktarit dhe një djalë tjeter.
Në vitin 2012-2013 ishte kjo periudhë që Endriti më kërkoi që të takoja Suel Çelën, Sokol Sanxhaktari. Endriti më tha që do testonin cilësinë e një sasie kokaine.
Prokurori i SPAK: Si ka qenë jeta juaj para vrasjes së vëllait?
Erion Alibej: Në jetën time nuk jam marrë asnjëherë me drogë, por gjithmonë e kam mbështetur vëllain. Se e kam vëlla. Ai më kishte kërkuar të shkoja në Angli. Shkova me kamion, në fillim të 2016, te familja e xhaxhit tim, që jetonte prej shume vitesh aty. Ata nuk dinin asgjë, kisha mundësi të shisja kokainë, por nuk kisha mundësi të gjeja shtëpi. Asokohe Hajdar Çopja jetonte në Holandë dhe ua çonte drogën shpërndarësve në Gjermani me kuaj.