
Policia e Vlorës ka shpallur zyrtarisht në kërkim tre persona në lidhje me vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, e cila ndodhi më 27 prill në lagjen “Hajro Çakërri”. Të tre të dyshuarit ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë. Njëri prej tyre është një shtetas rumun, i dyshuar si autor i ekzekutimit, ndërsa dy të tjerët janë shtetas shqiptarë, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në organizimin e ngjarjes.
Ndër personat e shpallur në kërkim është edhe Alesio Dobrozi, i cili sipas informacioneve të fundit ndodhet në Dubai. Dobrozi është i njohur për autoritetet shqiptare dhe ka qenë më parë i përfshirë në incidente kriminale. Në vitin 2021, ai bashkë me Ramazan Rrajën dhe Roan Brahimin — i vrarë kohë më parë në Athinë — kishin hyrë të armatosur në një lokal në Lezhë.
Për shtetasin rumun, dyshohet se ai është larguar nga Shqipëria ditën e ngjarjes, duke kaluar përmes pikës kufitare në Qafë Botë. /korrieri