
Vrasja tragjike e studentes shqiptare Ilaria Sula në Romë ka marrë një kthesë të re, teksa hetimet zbulojnë një prapavijë të errët mashtrimi dhe manipulimi dixhital.
Sipas “La Repubblica”, autori i dyshuar, Mark Samson, me origjinë filipinase, kishte mashtruar familjen dhe miqtë duke krijuar llogari false për të pretenduar se kishte kaluar provimet në universitetin Sapienza.
Ishte pikërisht Ilaria ajo që zbuloi të vërtetën, duke nxitur një përplasje fatale mes tyre. Më 25 mars 2025, në banesën e tij në Romë, Marku e vrau Ilarian dhe më pas fshehu trupin në një valixhe, të cilën e hodhi në një zonë pyjore jashtë qytetit.
Ngjarja tronditi opinionin publik në Itali dhe Shqipëri, duke hapur debat mbi dhunën ndaj grave, presionin akademik dhe pasojat e mashtrimeve në botën dixhitale. Mark Samson ndodhet në arrest, ndërsa hetimet vijojnë. Familja e Ilarias dhe komuniteti shqiptar në Itali kërkojnë drejtësi. /korrieri