
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka komentuar lidhur me goditjen e fundit nga autoritetet italiane dhe SPAK ndaj një organizate shqiptare që vepronte në Itali në trafikun e drogës.
Karamuço shpjegoi në “NOW me Erla Mëhillin hetimin e kryer nga pala italiane, duke sqaruar se veprimtaria e këtij grupi, sipas dokumenteve hetimore, është zhvilluar vetëm në territorin italian.
Ai u shpreh kritik ndaj prokurorëve dhe autoriteteve italiane, duke theksuar se “e fryjnë rolin e shqiptarëve, ndërkohë që ata në realitet nuk mund të krahasohen me organizata të mëdha si “Camorra” apo “Ndrangheta”.
Sipas tij, është e pavend të flitet për një “mafia shqiptare”, duke thënë se një term i tillë ushqehet nga ksenofobia dhe perceptimi i gabuar i realitetit kriminal.
“Shqiptarët janë grupe ‘proxy’, nënkontraktorë të italianëve – thjesht një vitrinë. Ne na përdorin ata që janë në radarët e organeve ligjzbatuese italiane për të shmangur vëmendjen, dhe vendosin përpara shqiptarët. Është pikërisht ‘Ndrangheta’ që na ka prezantuar me rrjetet në Ekuador, duke thënë: ‘Këta janë bashkëpunëtorët tanë, vazhdoni punën me ta. “Ndrangheta” të vë në punë dhe ti përfiton aq sa të takon si shqiptar që je i besuar dhe kontribuon në këtë trafik. Si mund të thuash që shqiptarët kanë pushtuar portet e Belgjikës apo sheshet e Romës? Të lë “Ndrangheta” apo “Camorra” të pushtosh Romën? Ku të lënë ata? E gjithë kjo që po quhet “mafia shqiptare” është ksenofobi. Ky term që përdorin disa prokurorë italianë nuk na takon, nuk e meritojmë. Nuk kemi asnjë atribut të një familjeje mafioze. Kemi grupe të strukturuara kriminale, ndoshta deri në organizatë, por jo mafie. Asnjëherë. Na fryjnë rolin në mënyrë të qëllimshme, për të na paraqitur më të rrezikshëm nga sa jemi në realitet”, tha Karamuço.
Në lidhje me hetimin, Karamuço konfirmoi se gjithçka ka nisur nga të dhënat e siguruara përmes aplikacioneve të komunikimit të enkriptuar, si Sky dhe EncroChat, por theksoi se pjesa më e madhe e punës hetimore është bërë në Itali.
“Ky hetim ka filluar me të dhëna nga Sky dhe Encro si indicie, dhe nga këto indicie janë zhvilluar më tej hetimet. Pyetja që ngrihet është nëse ky krim vazhdon ende të ndodhë; nëse po, atëherë hetimet do të vazhdojnë. Këto hetime kanë qenë shumë komplekse dhe janë shtrirë nga Amerika Latine deri në Shqipëri, ku edhe ne kemi marrë detyra konkrete për hetimin. Megjithatë, pjesa më e madhe e hetimit është zhvilluar në Itali, sepse aktiviteti kryesor i grupit ishte aty. Në dosjen që kam në zotërim, që përmban rreth 1,400 faqe, flitet vetëm për territorin italian. Kjo paraqet një kontradiktë në raport me pohimet e prokurorëve italiane, që thonë se kanë ndjekur paratë deri në Shqipëri. Por, sa para janë ndjekur realisht? Janë sekuestruar vetëm 4.7 milionë euro, ndërkohë që në ato tonelata droge flitet për vlera prej qindra milionë eurosh. Ku janë këto para? Kjo tregon se kemi të bëjmë me një konstelacion ndryshe nga ajo që njohim nga organizatat kriminale italiane si ‘Ndrangheta’, ‘Santa Corona Unita’ si dhe disa nënkontraktore që merren me shërbimet përkatëse”, tha Karamuço.