
Një denoncim i publikuar së fundmi nga portali Maska.al ka nxjerrë në dritë një rast shqetësues që ngre pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë dhe transparencën në shërbimet online të UBA Bank. Një klient biznesi i kësaj banke ka ngritur një ankesë për tërheqje të paautorizuara fondesh gjatë përdorimit të kartës për blerje online, duke pretenduar se banka ka dështuar të zbatojë edhe praktikat më bazike të sigurisë financiare.
Sipas dëshmisë së klientit, menjëherë pas hapjes së një karte biznesi dhe përdorimit të saj për blerje online, banka nuk ka ofruar asnjë njoftim, verifikim me SMS, apo autentikim përmes aplikacionit mobil, edhe për transaksione me vlera të konsiderueshme, siç kërkohet në mënyrë standarde nga rregullorja PSD2 e Bashkimit Evropian për autentikimin e fortë të klientit (SCA – Strong Customer Authentication).
Rasti më i rëndë është ai i një pagese prej 100 eurosh të tërhequr nga platforma E-Dreams, pa ndonjë formë njoftimi ose konfirmimi paraprak nga banka sipas portalit në fjalë. Klienti nuk përjashton mundësinë e një klikimi të paqëllimshëm, por thekson se mungesa e çdo verifikimi e bën këtë incident thellësisht të papranueshëm dhe potencialisht të rrezikshëm.
Më shqetësuesja është se pas raportimit të incidentit, UBA Bank nuk ka ofruar asnjë zgjidhje konkrete, as mbështetje efektive për klientin, duke shtuar edhe më shumë dyshimet për mungesë përgjegjësie dhe respektim të standardeve të mbrojtjes së konsumatorit.
Ky rast nuk është i izoluar vetëm në aspektin teknik. Pronari i UBA Bank, Kadri Morina, i cili zotëron gjithashtu kompanitë e sigurimeve Eurosig dhe Insig, është përmendur më parë në media në lidhje me praktika të dyshimta në sektorin e sigurimeve, çka e bën edhe më të rëndësishëm shqyrtimin e kësaj çështjeje në një nivel më të gjerë institucional.
Klienti ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesën pranë Bankës së Shqipërisë duke kërkuar hetim të plotë dhe garantimin që raste të tilla të mos përsëriten me klientë të tjerë. /maska.al