
“Një rrjet kriminal me shtrirje ndërkombëtare dhe një biznesmen i njohur për jetën luksoze dhe aktivitetet e tij ‘të ligjshme’”.
Kjo është tabloja që po zbulojnë hetimet e fundit nga SPAK dhe partnerët ndërkombëtarë në rastin e Nexhmedin Danajt, biznesmenit vlonjat të dyshuar si drejtues i një skeme gjigante për pastrim parash dhe trafik droge.
Në qendër të kësaj skeme ndodhet një mekanizëm i njohur si “Hawala”, një sistem tradicional që është përdorur për shekuj në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore për të transferuar para pa asnjë ndjekje bankare.
Por sot, Hawala është kthyer në një nga armët më të fuqishme të krimit të organizuar ndërkombëtar dhe Danaj e kishte shndërruar atë në një kanal të sofistikuar për qarkullimin e miliona eurove nga Dubai, në Itali dhe Shqipëri.
Çfarë është Hawala?
Hawala është një sistem alternativ financiar që operon mbi bazën e besimit. Paratë nuk lëvizin fizikisht. Një person i dorëzon një shumë një agjenti lokal (i quajtur hawaladar), i cili më pas e njofton një koleg në një vend tjetër për të dhënë të njëjtën shumë marrësit.

Kjo transaksion nuk kalon përmes bankave dhe nuk lë gjurmë.
Në vende ku sistemi bankar është i dobët ose ku duhen shmangur kontrollet zyrtare si në rastin e rrjeteve kriminale Hawala është ideal.
I padukshëm, i shpejtë dhe praktikisht i pashoqërueshëm me burimin origjinal të fondeve.

Rrjeti i Danajt: Nga Vlora në Dubai
Sipas dosjes së SPAK dhe hetimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe spanjolle, Nexhmedin Danaj drejtonte një skemë ku përfshiheshin dhjetëra persona dhe kompani, përmes së cilës qarkullonin rreth 65 milionë euro të përfituara nga trafikimi i kokainës.
Bashkëshortja e tij, Algerta Fejzulla, luante rol kyç në menaxhimin dhe përfaqësimin e bizneseve të përfshira.
Paratë përdoreshin për të blerë prona, biznese, makina luksoze dhe mallra të shtrenjta, të cilat më pas shërbenin si “mbulesë” për burimet e vërteta të të ardhurave.
Kompanitë që fshehin pastrimin e parave
Disa nga bizneset e dyshuara si pjesë e këtij rrjeti përfshijnë:
– “Dubai Inn” dhe “Vlora Cable” në Shqipëri, të sekuestruara nga SPAK.
– “General Trading LLC” në Dubai, me qarkullim të lartë financiar.
– Kompani import-eksporti, hoteleri dhe turizmi që shërbenin si urë për transferime fiktive të mallrave dhe shërbimeve.
Sistemi Hawala përdorej për të kaluar fonde nga Dubai në Spanjë, ku organizata kriminale blinte drogë, e cila më pas shpërndahej në Evropë.
Fitimet futeshin në Shqipëri përmes investimeve të dukshme dhe të ligjshme në kompani lokale.
Operacioni ndërkombëtar dhe arrestimet
Në shtator 2023, një operacion i përbashkët mes Europol, Guardia di Finanza, policisë spanjolle, si dhe SPAK dhe BKH në Shqipëri, çoi në arrestimin e 27 personave dhe sekuestrimin e miliona eurove, përfshirë:
– 615 mijë euro në cash
– Automjete luksoze dhe orë të markave të shtrenjta
– Pasuri të paluajtshme në Shqipëri, Itali dhe Spanjë.
Në total, 52 urdhër-arreste janë lëshuar, dhe hetimi vazhdon në disa shtete. /vox