
Ligji specifikon se Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtën për të propozuar pranimin e një personi si bashkëpunëtor i drejtësisë. Ky propozim shoqërohet me përshkrimin e kushteve të bashkëpunimit. Propozimi depozitohet në Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, e cila kryen funksionet administrative dhe teknike. Marrëveshja për mbrojtjen e bashkëpunëtorëve nënshkruhet dhe zbatohet brenda një periudhe të shkurtër, jo më vonë se 10 ditë nga pranimi në program. Megjithatë, ky sistem ka sfidat e tij. Programi mund të ndërpritet nëse bashkëpunëtori i drejtësisë nuk përmbush kushtet e marrëveshjes, nëse ofron dëshmi të rreme, ose nëse përfshihet në aktivitete kriminale që nuk i ka shpallur më parë.
“Bashkëpunëtori i drejtësisë në momentin që kthehet në bashkëpunëtor i drejtësisë dhe nuk tregon të vërtetën apo zbulohet që nuk ka treguar të vërtetën në dëshmitë që ka dhënë ai mund të humb statusin e bashkëpunëtorit dhe ndaj tij nuk aplikohet asnjë lloj përfitimi të parashikuar nga ligji”, u shpreh Artur Prenga, zv/Kryetar i Gjykatës Elbasan.
“Dëshmitarët e drejtësisë që në momentin e lidhjes së marrveshjes, duhet të tregohen shumë korrekt me organin procedues, ashtu sikurse edhe organi procedues duhet të jetë korrekt me ta me marrëveshjet paraprake të tyre. A ka patur raste? Ka patur raste kur bashkëpunëtori i drejtësisë ka patur fillimisht një bashkëpunim me prokurorin, por gjatë hetimit është konstatuar që ata nuk kanë treguar të gjitha ngjarjet e rrethanat që dinë duke mbajtur rezerva, apo nuk janë treguar të sinqertë në dëshminë e tyre. Për këtë fakt është prishur marrëveshja e arritur me ta”, u shpreh Vladimir Mara, prokuror i SPAK.
Siguria e personit të penduar, mbrojtja e familjarëve të tij, akomodimi në vend të sigurt apo edhe zhvendosja jashtë territorit, janë të gjitha kosto që bien mbi buxhetin e shtetit. Por ajo që pak dihet është se pagesat për bashkëpunëtorët e drejtësisë nuk përfshihen kurrë në buxhetet vjetore të qeverisë. Arsyeja? Sepse një i penduar mund të shfaqet në çdo moment dhe këtu lind nevoja e një financimi që nuk mund të parashikohej. Hetimet dhe ngjarjet janë dinamike. Në dy dekadat e fundit, kur ligji është zbatuar në praktikë, qeveritë shqiptare kanë qenë të gatshme të financojnë rastet sa herë prokuroria ka pasur një “bum” dëshmitarësh të penduar, ashtu siç ka ndodhur në 3 vitet e fundit, ku SPAK numëron të paktën 8 bashkëpunëtor drejtësie në këto vite.
“Përsa i përket bashkëpunëtorëve të drejtësisë, ne kemi një numër të konsiderueshëm aktualisht, për veprat penale të cilat janë dërguar përpara gjykatës dhe tashmë janë publike, por kemi bashkëpunëtorë për vepra penale të cilat janë nën hetim, dhe ne nuk japim detaje të mëtejshme”, u shpreh Vladimir Mara, prokuror i SPAK.
“Duke qenë se është shumë delikate situata, të penduarit nuk mund ti kalosh nga një qytet, në një qytet tjetër, sepse Shqipëria është e vogël, prandaj janë lidhur marrëveshje ndërkombëtare, të cilat të lejojnë që ti të marrësh të penduar këtyre shteteve, dhe ti çosh atyre të penduarit e tu. Të gjitha këto janë shpenzime që sigurohen nga buxheti i shtetit”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.
Ata që dikur ishin krah krimit, sot me dëshmitë e tyre zbulojnë të vërtetat e errëta. Të rrezikshëm dikur, por të vlefshëm sot që flasin. Me dëshmitë e tyre i japin mundësinë ligjit të godasë krimin. Në momentin që marrin statusin e bashkëpunëtorit, nga kriminelë kthehen në aleatin kryesor të drejtësisë. Për ta nuk ka kthim pas…/TCH