
Prokurori i posaçëm Vladimir Mara ka dhënë detaje nga operacioni i madh i zhvilluar në Shqipëri dhe Itali ndaj një grupi të fuqishëm kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar të drogës, ku janë lëshuar 52 masa sigurie, nga të cilat janë ekzekutuar 40.
Sipas deklaratës së prokurorit, mes të ndaluarve ndodhen zyrtarë shtetërorë si dhe një avokat, ndërsa hetimet kanë zbuluar jo vetëm episode të trafikut të narkotikëve, por edhe vepra korruptive në Shqipëri, të kryera nga persona në funksione publike.
Operacioni është shoqëruar me vendime të GJKKO-së për sekuestrimin e pasurive të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale. Janë bllokuar:
- 3 restorante në Durrës
- 1 bar-kafe
- 6 shoqëri tregtare
- 1 televizion kabllor në Vlorë – konkretisht “Vlora Cable”, në pronësi të biznesmenit Nexhmedin Danaj
Po ashtu, gjatë hetimeve janë sekuestruar 3 milionë euro në para cash, të dyshuara si të ardhura direkte nga aktiviteti i trafikut të drogës.
Ky operacion shënon një tjetër goditje të rëndësishme ndaj grupeve kriminale të strukturuara, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane, dhe vjen paralelisht me zbatimin e masave të vendosura nga drejtësia në të dy vendet. /korrieri