
Menjëherë pasi kryesocialisti Edi Rama kërkoi nga kandidatët humbës të listave të hapura që të “mos humbisnin fytyrën” duke kërkuar nga KQZ pamjet filmike të numërimit të votave, ka reaguar edhe një nga “protagonistët”.
Deputeti Xhemal Qefalia që ishte njëri nga kandidatët që kërkoi nga KQZ pamjet e numërimit të votave, ka “dëgjuar” këshillën e Ramës, ndërsa falënderon votuesit për vota.
Një falënderim të “përzemërt” ka dhe për kryeministrin Edi Rama.
“Ndihem i emocionuar kur pranë emrit tim shënohen 9950 vota të qytetarëve të qarkut të Tiranës.
Jam thellësisht mirënjohës për çdo njeri që më ka qëndruar pranë, për çdo përkrahje, për çdo mesazh, për çdo dorë që u shtri drejt meje gjatë kësaj rruge.
Një falënderim i veçantë dhe i përzemërt shkon për Kryeministrin Edi Rama, për mundësinë dhe besimin që më dha për të qenë pjesë e listës konkurruese të Partisë Socialiste. Kjo është një përgjegjësi dhe nder që nuk harrohet.
Pavarësisht rezultatit, ndihem me zemër të mbushur nga dashuria dhe besimi që kam marrë prej jush”, shkruan Qefalia në rrjetet sociale.
Qefalia largohet nga Parlamenti pas dy mandatesh si deputet./voxnews